Këngëtarja, mes jetës shqiptare dhe asaj amerikane
U
largua nga Shqipëria në kulmin e saj si këngëtare
për të nisur një jetë të re në
Amerikë. Vend ku jeton prej afër 17 vjetësh. Zëri i
largët i vendlindjes e ka thirrur sërish. Është
rikthyer por ardhja e saj, padyshim nuk mund të kalonte aq
lehtë. Shfaqja e Ermira Babaliut në spektaklin
“Këngët e shekullit” do të sillte emocione
për çdo kënd. Dhe të gjithë do të
kujtonin zërin e këngëtares së festivaleve, që
prej vitesh emocionet ua fal shqiptarëve, që jetojnë
atje larg. Në këtë rrëfim të Ermirës, ajo
na tregon për jetën e saj në Amerikë, ku jeton me
bashkëshortin Sandrin dhe vajzën e saj 19 vjeçare,
Dorela. Por edhe për përshtypjet që i ka bërë
Shqipëria pas kaq vitesh; njerëzit, miqtë e ndryshuar,
veshjet e njerëzve, mentaliteti shqiptar, rrugët e
gjithçka tjetër. Madje ajo zbulon edhe disa nga projektet e
saj, albumi, e njëkohësisht hap edhe një dritë
jeshile për një kthim të përhershëm në
Shqipëri, ku ndoshta do ta shohim në një tjetër
pozitë, e ndoshta edhe larg këngës. Megjithatë
të gjtha këto do të shfaqen në kohën e duhur,
tregon ajo. Për më tepër le të ecim së
bashku…
Ktheheni
në Shqipëri pas mjaft viteve mungesë. Cilat janë
gjërat që ju kanë bërë përshtypje që
kur keni ardhur?
Në
gjithë pikëpamjet Shqipëria më duket më e
rritur. Ashtu si në shumë drejtime të tjera, që
më duket shumë mbrapa. Unë jam e interesuar vetëm
për ato gjëra të mira, çka mund t’i marr
Amerikës. Duke menduar pozitivisht unë dua të them se
janë shumë elementë për të cilat janë
bërë gjëra për mirë, dhe padiskutim ndihem e
shqetësuar për problemet, sidomos ato sociale që has
vendi. Ndërkohë më bëjnë më shumë
përshtypje njerëzit që kanë ndryshuar ngjyrën
e veshjeve, lokalet e bukura, ndriçimi i shkëlqyer i
pjesëve të spektakleve që kam parë. Por një
gjë që nuk më pëlqen është sindroma e
veshjeve, dikush duhet të edukojë kodin e veshjeve, një
look paradoksal, sipas të cilit vajzat vishen
si zonja dhe gratë që vishen si adoleshente. Mungon kodi i
veshjes. Gjthashtu përshtypje më bëjnë tarifat e
telefonit, karrocat që kalojnë në mes të
rrugës, që për mendimn tim duhen hequr për të
krijuar një imazh më të qytetëruar të qytetit,
mjekët që pinë cigare kur mjekojnë pacientët.
E më befasojnë mua këto gjëra që jam një
shqiptare, po një i huaj çfarë mendon kur i sheh?
Ndërkohë sapo jeni kthyer nga Pogradeci, vendlindja juaj. Si e gjetët atë?
Në Pogradec janë bërë shumë ndryshime në
pamjen e qytetit dhe në nevojat e përditshëmrisë
së njerëzve. Jam e lumtur që po pastrohet liqeni më
në fund.
Ermira na tregoni pak për jetën tuaj në Amerikë. Si është e organizuar dita juaj atje?
Aktualisht
një pjesë të mirë të kohës e kaloj me
përgatitjet që bëj për koncertin që vjen, ose
për të rifreskuar repertorin. Një pjesë të
mirë të kohës ia kushtoj fiskulturës, ose lexoj.
Në fundjava kur nuk kam për të kënduar frekuentoj
një pjesë të mirë të spektakleve, që
në DetroitLas Vegas e kam parë për 60 dollarë. Po
ashtu të Brayan Adams, Joe Cocer, etj. Po në Detroit
është një teatër i madh, për shkak se i
sponsorizojnë kompani të mëdha të biznesit, bileta
është më e lirë dhe kështu që kanë
mundësi t’i ndjekin të gjithë. Kam një rreth
miqsh, pjesa më e madhe janë intelektualë. Mblidhemi me
ta dhe bëjmë festa, ndërsa kam qefj të gatuaj
vetë.
Përmendët që lexoni. Çfarë librash lexoni?
Në
pjesën më të madhe të viteve të fundit lexoj
libra në anglisht. Mu deshën disa vite të përsosja
anglishten në fakt. Lexoj filozofë dhe kritikë të
ndryshëm. Po i rikthehem në një farë mënyre
Filozofisë, për të cilën edhe jam diplomuar,
për të mësuar dhe për t’i shtuar kapacitetit
tim atë pjesë, që ne nuk e kemi studiuar në
shkollë si Frojdi, Epicuri e Niçe, ku pas një pjese
të mirë të këtij të fundt unë jam e
marrosur. Ose lexoj edhe përmbledhje kritikash si të Alen
Boton, apo edhe të mjaft filozofëve të mëdhenj.
Çfarë ju ka mësuar Amerika?
Shumë
gjëra, por më të rëndësishmet janë
“mos gjyko të tjerët”, puno sikur do të
jetosh gjithë jetën dhe jeto sikur do të vdesësh
nesër” dhe sidomos të menduarit pozitiv.
E
duke krahasuar parimet, që keni mësuar në Amerikë,
cili është shqetësimi më i madh juaj këtu
në Shqipëri?
Mentaliteti
i vjetëruar, që do të thotë se, nëse do
të mundja do të punoja dhe kontribuoja për civilizimin e
mentalitetit, këndvështrimit të të parit të
gjërave. Është folur në media shumë për
këtë lloj mentaliteti dhe në pjesën më të
madhe të kohës është folur për oksidentimin e
mentalitetit. Pa dashur të heq asnjë presje nga ato e them
“civilizim”, sepse absolutisht do desha që brenda
këtij mentaliteti të mbahej ajo pjesë e mirë e
traditës, si përshembull: respekti që ne kemi pasur
për mikun, për shokun, mikëpritja që sot me sa shoh
në emër të të qenit modern interpretohen si
dobësi. Më shqetëson mentaliteti këtu. Pasi
nëse flet për një moshë mbi 35 vjeç quhesh i
vjetër në muzikë, që je eliminuar nga skena me
qëllim ose me papërgjegjshmëri, kur dihet që kulmi
i një gazetari, i një aktori, i një këngëtari
i një artisti në tërësi është në
këtë msohë.
Keni studiuar për filozofi dhe njiheni si këngëtare. Jashtë muzikës ku e sheh veten Ermira?
Përveç muzikës më pëlqen moda dhe politika.
Dhe politika?
Është
e vështirë të kesh studiar filozofi dhe të
njohësh “Teorinë e shtetit” dhe të jesh e
painteresuar për politikën.
E keni menduar ndonjëherë të ktheheni në skenën e festivaleve?
Skenën
e festivalit e kam ezauruar dhe pa pasur frikë, me shumë
sinqeritet: nuk kam më dëshirë të konkurroj.
Unë kam kapur një kulm në vitet ’80-’90. Jam
natyrë që nuk kënaqem, por sidoqë të
jetë, unë them që skena nuk më tremb dhe them me
bindje që janë pjesë të ornamenteve të
zëret tim, që unë ende nuk i kam nxjerrë dhe
që do të jenë në albumin që do të
vijë. Asnjëherë nuk quhem e ngopur dhe e kënquar,
gjthmonë më del diçka mangut brenda asaj që kam
dhe kam bërë. Atë që do të kisha më
shumë dëshirë është të nxirrja një
album, ta promovoja atë dhe të mbetesha në treg,
gjë që do ta bëj shumë shpejt.
Çfarë do të sjellë Ermira në këtë album të r?
Ermirën
e ardhur në kohë me një zë të pjekur, me ritme
dhe intonacone të kohës, por edhe me mesazhe tekstesh.
Jeni takuar më miqtë tuaj pas kaq vitesh, çfarë ju ngacmoi përveç mallit?
Për miqtë e vjetër më vjen keq që i gjeta
të ndryshuar, jo në pamje sepse ata ishin zbukuruar, por
në mënyrën se si kishin ndryshuar nga karakteri për
hir të kushteve.
Në rikthimin tuaj në “Këngët e Shekullit” bëtë përshtypje edhe me veshjen tuaj.
Në
përgjithësi nuk më pëlqen të vishem si të
tjerët, që është një unifikim i veshjeve
që unë e vë dukshëm. Fustanin tim të asaj
mbrëmjeje e ka stiluar e para stliste shqiptare, Katerina Boci,
që ka shitur linjën e saj në New York Fashion Week dhe
stilon veshjet e spikerve të Miçigant, një sukses i
madh për një shqiptare që ka vetëm 7 vjet në
Amerikë.
Keni menduar të riktheheni përgjithonë në Shqipëri?
Le të shpresojmë që të jetë një hap i parë drejt rikthimit.
Kjo
do të thotë se ju tashmë keni bërë plane dhe
projekte që ju lidhin vetëm me Shqipërinë?
Le të mbetemi me kaq…
Ç’është suksesi për ju?
Menaxhim
i mirë i aftësive të gjithkujt Kur ia bënë
këtë pyetje Julia Roberts, ajo iu
përgjigj:“Suksesi varet nga audienca”. Unë do
të quaja të suksesshme ato që ndiqen nga një
audiencë e madhe dhe për një kohë të
gjatë.
Çfarë është ajo që ju mërzit?
Personalizimi
i pushtetit. Eshtë e vështirë të mbarosh punë
në një zyrë dhe do të doja t’a ndryshoja
këtë gjë, nëse do të kisha mundësi.
Për Vitin e Ri, do të jeni në Shqipëri?
Do
të jem në Florda për një koncert për
Krishtlindje, ndërsa për Vitin e Ri do të jem në
Orlando.
Ju vjen keq që në kohën që njerëzit festojnë juve ju duhet të punon?
Në
fakt më vjen tmerrësisht keq sepse janë pikërisht
ato ditë kur do të doja të isha në atë
vatrën e shtëpisë sime, me burrin e vajzën time dhe
për mua do të ishte viti i ri më i bukur, më i
plotësuari, pasi kam rreth 17 vjet që nuk e kam festuar.