Komisioni kuvendor i Ekonomisë miratoi dje të gjitha
propozimet e qeverisë për ndryshimet në ligjet "Për
Procedurat Tatimore" dhe "Për Administratën Tatimore", pa
marrë parasysh asnjë nga vërejtjet e biznesit.
Ndryshimet u shpjeguan para deputetëve nga
përfaqësuesja e zyrës juridike në Ministrinë e
Financave, znj.Lindita Rusmali. Sipas Rusmalit, "kur Administrata
Tatimore nxjerr vlerësimin e një detyrimi tatimor në
përputhje me ligjin, detyrimi tatimor i vlerësuar, paguhet
brenda 30 ditëve kalendarike nga data në të cilën
tatimpaguesi ka marrë ose konsiderohet të ketë
marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për
pagesë".
Si lehtësi për biznesin u prezantua fakti që
tatimpaguesi mund t'i paguajë detyrimet tatimore në
mënyrë elektronike, nëpërmjet bankave ose
institucioneve të tjera, që kanë lidhur marrëveshje
me administratën tatimore për të pranuar këto
pagesa.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i qe drejtuar publikisht medias dhe
deputetëve si shpresa e fundit për të parandaluar disa
ndryshime ligjore, që konsiderohen si jashtëzakonisht
arbitrare dhe që rrisin shkallën e rrezikut të të
bërit biznes në Shqipëri, për shkak të
shkallës së lartë të lirisë të organeve
tatimore për të përcaktuar fatin e pasurive të
tatimpaguesve.
"Nëpërmjet kësaj konference për shtyp
tërheqim vëmendjen e medias, të qeverisë, të
deputetëve dhe të gjithë opinionit, për të
shmangur që organet tatimore të kthehen në organe rendi,
për të shmangur abuzivizmin dhe korrupsionin që do
të pasojnë automatikisht, dhe me qëllimin e
rimëkëmbjes së parimit që biznesi dhe administrata
tatimore janë partnerë",- deklaroi dje Dhoma.
Deputetët në Komisionin e Ekonomisë shqyrtuan, nen
për nen, ndryshimet dhe i miratuan ato pa asnjë vërejtje
apo sugjerim.
Referuar projektligjit, në qoftë se tatimpaguesi nuk
paguan detyrimin tatimor, Administrata Tatimore nëpërmjet
një urdhri me shkrim të lëshuar nga Drejtori i
Drejtorisë Rajonale, apo i njësisë së ngjashme me
të, si dhe titullari i zyrës tatimore të qeverisjes
vendore, i kërkon çdo banke në të cilën
tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të
mbajë një shumë e cila duhet të jetë më e
vogël, ndërmjet shumës që kërkohet të
mbahet, dhe shumës që rezulton në atë moment
në llogarinë bankare të tatimpaguesit.