Ministria e Transporteve dhe e
Telekomunikacionit u ka kërkuar kompanive "AMC" dhe "Vodafone",
që të japin versionin e tyre në lidhje me problemet
që janë hasur gjatë natës së ndërrimit
të viteve, me mesazhet e dërguara nga ana e klientëve.
"Kjo kërkesë vjen si pasojë e ankesave të bëra
nga ana e klientëve të "AMC" dhe "Vodafone", pasi mesazhet e
dërguara prej tyre janë përsëritur disa herë
në të njëjtin numër, duke u shoqëruar edhe me
ripagesën disa herë të tyre",- sqarohet në
shkresën zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe
Telekomunikacionit. Pas kërkesës së bërë nga
ana e kësaj ministrie, ka ardhur edhe reagimi i dy kompanive
që zotërojnë tregun e telefonisë celulare në
vend.
Vodafone: "Do rimbursojmë, nëse ka pasur probleme"
Kompania "Vodafone Albania" do
të rimbursojë të gjithë klientët, në rast
se do të evidentohen SMS të ridërguara disa herë.
Sipas kompanisë "Vodafone" ka nisur investigimi që në
datën 1 Janar 2008, për të gjitha SMS-të e
dërguara gjatë natës së Vitit të Ri dhe
datës 1 Janar 2008. "Në rast se do të evidentohen SMS
të ridërguara disa herë, klientët do të
njoftohen dhe rimbursohen përkatësisht, siç
është vepruar gjithmonë në të tilla raste",-
bën të ditur kompania "Vodafone Albania".
AMC: "Nuk kemi pasur tarifime të tepërta"
Në një njoftim për
mediat, kompania "AMC" ka bërë të ditur se, ka kryer
kontrolle të hollësishme në rrjetin e saj dhe deklaron
se nuk ka pasur asnjë problem që mund të ketë
rezultuar me tarifime të tepërta të SMS-ve. Për
më tepër, kompania AMC sqaron se nuk ka marrë asnjë
ankesë nga abonentët e saj, përsa i përket një
problemi të tillë.