Në harkun kohor të dy viteve, Shqipëria ka eksportuar 8 milionë dollarë armatime
Një nga eksportet që ka pësuar rritje edhe në
vitin 2007 është edhe ai i armëve dhe pajisjeve të
tjera ushtarake, municioneve, etj., që kanë pasur destinacion
vendet e tjera. Sipas një raporti të publikuara nga Qendra
Shqiptare për Tregtinë (ACIT), bazuar në të
dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të
Doganave del se vetëm gjatë 6 muajve Shqipëria ka
eksportuar rreth 2.8 milionë dollarë armatime të
kategorive të ndryshme. Duke mos përfshirë në
këtë llogaritje, 3-mujorin e fundit të vitit 2007,
në harkun kohor të dy viteve Shqipëria ka eksportuar
rreth 8 milionë USD armatime të llojeve të ndryshme.
Tregtimi i këtyre mallrave, që sipas bilancit tregtar kapin
një vlerë rreth 8 milionë dollarë në vitin
2006 dhe 2007, është me një rritje të ndjeshme
nëse krahasohet me vitet e tjera të tranzicionit. Referuar
të dhënave tregtare në vite, zëri "Armë dhe
municione" me gjithë artikujt e tjerë ndihmës të
makinës ushtarake ka pësuar një rritje edhe në
vitin 2007, krahasuar me vitin 2006. Trendi i eksporteve të
kësaj kategorie mallrash ka një ndryshim të madh në
harkun kohor të 3-mujorëve, nëse ata krahasohen me vitin
2006.
Shqipëria ka eksportuar armë edhe gjatë viteve
të tjera të tranzicionit, por sasitë e eksportuara
kanë qenë në nivele të ulëta. Referuar
bilancit tregtar të vendit në vitin 1996, eksportet e
kësaj kategorie të mallrave rezultojnë në
vlerë 500 mijë euro, gati 6 herë më pak se një
6-mujor i viti 2007. Përsa i përket viteve të tjerë
deri në 2000, Shqipëria nuk ka kryer tregti armësh,
të paktën përsa i përket zërit të
eksporteve të kësaj kategorie. Në vitin 2000 referuar
të dhënave të tregtisë me jashtë kemi një
eksport të këtyre mallrave, që shkon në një
vlerë 800 mijë euro. Nga viti 2001 deri në 2005-ën,
vazhdimisht ka pasur eksport jashtë vendit të materialit
ushtarak, por në shifra, që luhaten nga 300.000 euro, në
vitin 2003, në 700.000 euro, në vitin 2002. Me një
mesatare prej 550.000 eurosh në vit.
Kjo tendencë duket
se ka ndryshuar ndjeshëm në vitin 2007. Sipas raportit
më të fundit të Bankës së
Shqipërisë, Shqipëria ka kaluar në një
shifër shumë më të lartë të eksporteve
të saj të materialit ushtarak, që arrin 7 herë
më shumë nivelin e një viti më parë. Nëse
i referohemi raporti të publikuar nga Qendra e Tregtisë me
Jashtë (ACIT), eksporti i armëve gjatë 3-mujorit të
tretë të vitit 2007 është një nga mallrat
që ka pësuar rritjen më të madhe.
Viti 2007 ka shënuar një rritje të ndjeshme
edhe në shpenzimet për importe armësh dhe municionesh,
krahasuar me vitin 2006. Megjithëse shifra mbetet e ulët,
rreth 1.2 milionë dollarë përsa i përket 9-mujorit
të parë 2007, ajo ka pësuar një rritje të
konsiderueshme në vitin 2006. Rritja e buxhetit të
Ministrisë së Mbrojtjes, është bërë
në kuadër të anëtarësimit të vendit
në NATO dhe ka qenë edhe një nga zërat që ka
pasur fatin për të marrë më shumë fonde edhe
në vitin 2008. Në "Ligjin për Buxhetin e Shtetit",
për vitin 2007 përcaktohej një shifër prej dy
përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto,
për shpenzime për qëllime ushtarake. Viti në
të cilin shpenzimet për importe kanë qenë në
këto nivele, ka qenë 1999. Shteti shqiptar në
këtë vit ka blerë armatime, municione e pajisje
ushtarake, në vlerë të përgjithshme prej 1 milion e
700 mijë eurosh. Gjatë vitit 2005, qeveria shqiptare ka
shpenzuar 1 milion euro për këtë qëllim. Por,
në 2006, vihet re një ulje 30 për qind në
këtë zë të shpenzimeve buxhetore.
Vlerat e eksportit të këtyre mallrave, që
vlerësohen edhe si "tregtia e vdekjes" janë në nivele
të ulëta përsa i përket vlerës,
megjithëse raportet e tregtisë me jashtë që jepen
nga ana e doganave nuk japin sasinë e këtyre mallrave,
që nuk dihet se për ku e kanë drejtimin. Nga ana e
autoriteteve shqiptare është bërë e ditur, për
këto raste, se armët që regjistrohen si eksporte në
vlerë, në të vërtetë nuk shiten, por dhurohen.
Një nga të dhënat që ka ndryshuar shumë
gjatë dy viteve të fundit, në fakt, është
vlera e këtyre mallrave që ka ardhur në rritje të
ndjeshme, gati 10 herë më shumë seç kanë
treguar të dhënat e viteve para 2006.