Vendimi i marrë nga BSH, është në përputhje me kërkesën e qeverisë për borxh
Sipas Bankës së
Shqipërisë vendosja e një niveli kufi të
sipërm ka si synim të vërë nën kontroll,
brenda niveleve të paracaktuara, kreditimin e deficitit buxhetor
nga ana e sistemit bankar. Për vitin 2008, kufiri i sipërm i
financimit të brendshëm të deficitit buxhetor
është 25.2 miliardë lekë.
Qeveria nuk duhet që të
marrë më shumë se 25.2 miliardë lekë nga ana e
sistemit bankar për vitin 2008. Vendimi është marrë
nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe është
në përputhje edhe me kërkesën e parashikuar nga ana
e qeverisë për borxh në vitin 2008. Qeveria, gjatë
vitit 2008 do të përdorë pikërisht nivelin e
sipërm të huamarrjes së brendshme, duke llogaritur
që të marrë 25.2 miliardë lekë nga ana e
sistemit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë
vendosja e një niveli kufi të sipërm ka si synim të
vërë nën kontroll, brenda niveleve të paracaktuara,
kreditimin e deficitit buxhetor nga ana e sistemit bankar. Për
vitin 2008, kufiri i sipërm i financimit të brendshëm
të deficitit buxhetor është 25.2 miliardë
lekë. Krediti i brendshëm neto për qeverinë
përfaqëson totalin e pretendimeve të sistemit bankar
ndaj qeverisë, minus depozitat e kësaj të fundit si
në Bankën e Shqipërisë, ashtu dhe në bankat
tregtare.
Kostot e borxhit
Interesat e larta kanë rritur
ndjeshëm koston e borxhit qeveritar, që për vitin 2008
shkon në rreth 39.7 miliardë lekë ose 467 milionë
dollarë amerikanë. Në harkun kohor të një
viti, interesat shtesë që qeveria duhet të paguajë
për borxhin në vitin e ardhshëm shkojnë në 104
milionë dollarë. Pjesa dërrmuese e interesave që do
të paguhen për vitin 2008 janë të dedikuara borxhit
të brendshëm, rreth 29 miliardë lekë. Ndërsa
për borxhin e jashtëm interesat e paguara në vitin 2008
shkojnë në 4.3 miliardë lekë. Rreth 6.4
miliardë lekë shpenzime për borxhin publik në vitin
2008 i janë dedikuar ripagesave të jashtme. Qeveria
parashikon nga ana tjetër që të rrisë më tej
borxhet e vendit gjatë vitit 2008, kryesisht borxhin e
jashtëm. Në vitin e ardhshëm parashikohen që
të merren 85.4 miliardë lekë borxh, që
është planifikuar që të merret nga jashtë dhe
që do të përdoren në financimin e rrugës
Durrës-Kukës.
Bankat, interesa të larta për bonot
Një nga shkaqet e rritjes
së shpejtë të kostos së borxhit qeveritar kanë
qenë interesat tepër të larta me të cilat ai
merret. Gjatë gjithë këtyre viteve qeveritë e
ndryshme kanë marrë, në pjesën më të
madhe të kohës, borxh nga burime brenda vendit, ku
bëjnë pjesë bankat e nivelit të dytë dhe Banka
Qendrore. Por interesat e diktuara nga ana e tregut, kanë
qenë në pjesën më të madhe të kohës
tepër të larta. Edhe nëse i referohemi tabelës
së interesave në ankandet e fundit të Bonove të
Thesarit të emetuara nga ana e Ministrisë së Financave,
që janë edhe forma klasike e borxhit qeveritar, interesat
shkojnë 8-9%. Megjithëse qeveria ka deklaruar se do të
hapë tregun e borxhit, në mënyrë që në
të të marrin pjesë shumë aktorë,
fleksibiliteti i normave të interesit mbetet i vogël, duke u
bërë në këtë mënyrë një burim i
mirë fitimi për bankat e nivelit të dytë. Pjesa
dërrmuese e borxhit qeveritar kontrollohet nga bankat e nivelit
të dytë, që zotërojnë rreth 70 për qind
të portofolit, ndërsa individët dhe grupet e tjera
zënë vetëm 7.39% të borxhit publik.