Politika

Home Page > Kulture

Teatri i tė rinjve, ja tendencat

Tue, 10 Jul 2007 21:45:00
2 / 5 (2 Vota)
Foto
Article by:
Webmaster
 
Të jenë bashkëkohorë dhe të ngrenë probleme. Ja tendencat e teatrit të të rinjve që duhet të punojnë gjithë verës, pas miratimit të projekteve nga Teatri Kombëtar dhe fondi i lëvruar nga Ministria e Kulturës

Dëshirë për tu afirmuar, për të hulumtuar në rrugë të pashkelura, por pa u harruar në një botë të largët. Preferohet bashkëkohorja dhe problematika aktuale, e prekshme. Pas konkursit të hapur që organizoi së fundmi Teatri Kombëtar, 9 projektet pjesëmarrëse në Festivalin e regjisorëve të rinj na japin një ide se ku rrahin pretendimet e të rinjve. Tendencë është dramaturgjia e shqetësuar. Ajo që ngre probleme, pse jo, kërkon edhe zgjidhje. Vë gishtin në një plagë, qoftë kjo shoqërore apo e individit, që nga pozicioni i femrës në shoqëri tek mungesa e dialogut mes njerëzve. Koncepte regjisoriale që tentojnë të dalin jashtë kornizave të zakonshme ku thuren disa zhanre. Dalin nga sallat e mbyllura të teatrove, për tu shfaqur në ambjente të hapura publike apo ish-fabrika në rrënim.

Për aktorin Ndriçim Xhepa, një ndër anëtarët e jurisë që seleksionoi projektet fituese, në të 17 veprat e paraqitura në konkurrim ke mundësinë të provosh të gjitha shijet e dramaturgjisë. "Ka aty që nga drama absurde, drama bashkëkohore konkrete, simboliste dhe ajo realiste. Nuk mungon edhe drama jonë me temë historike dhe shoqërore, si një punim i veprave të Migjenit, Kutelit dhe Kadaresë, apo të Rexhep Qosjes", - tregon Xhepa. E në të vërtetë mes veprave të përzgjedhura shohim që nga absurdët Albert Camus, Eugen Ioneso, Morris Panych, tek bashkëkohorët Slavomir Mrozhek, David Mamet, tek pjesët e veprave të përshtatura nga autorë të njohur të letrave shqipe, deri tek krijimet e mirëfillta shqiptare, madje që mbajën emrin e vetë regjisores, siç është rasti i Olsa Mazes. Por në gjithë këtë larushi dramaturgjike, ka edhe ndonjë tendencë të hollë. "Mund të them se ndihej pak më tepër prezenca e dramës bashkëkohore. Është drama e prekshme që e ndiejmë të gjithë", - vazhdon Xhepa. Por duket se një lloj tendence ka edhe në tematikë. Në disa projekte, qofshin ato fituese ose jo, në qendër të veprës është femra dhe problemet e saj. I tillë është projekti i Enton Kacës, "Udhëtimet e Lizës", një përshtatje e veprave të Migjenit, Kutelit dhe Kadaresë e cila merr në analizë figurën e femrës që në fillimshekullin XX, deri në ditët tona, ku kanuni i Lekë Dukagjinit është zëvendësuar me kanunet moderne.

Edhe Rovena Lule në "Perversitet seksual në Çikago", përmes gjuhës së rëndë, të vrazhdë nxjerr në pah mënyrën se si femra konsiderohet thjesht një objekt seksual. "Pamë si një tendencë shumë pozitive në disa projekte, vënien në qendër të veprës të problemeve sociale të femrës në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti. Këto vepra i pamë dhe i pranuam me shumë dashamirësi. Për mendimin tim, është mirë që trajtohen tema të tilla", - komenton aktori Xhepa.

Ka vepra që trajtojnë shqetësimin e njeriut mbi jetën. Një meditim që vjen nga një veprim mekanik, si aii larjes së pjatave në dramën absurde Ledio Topallit "Pjatalarësi".

Selektori Xhepa shprehet i kënaqur nga niveli i projekteve dhe serioziteti i paraqitjes së dosjeve të konkurrentëve. Madje ai thotë se ndonjë prej kritereve nga 10 syresh, dukej i tepruar. Si në rastin e të drejtës së autorit. "Duhet marrë parasysh që ata janë të sapodiplomuar dhe konkurrimi i tyre mbetet në këtë nivel. Këto vepra nuk do të shesin një numër fantastik biletash. Për 2-3 shfaqje modeste që ata do të kenë kjo ishte e tepërt, pasi financimi që ata marrin është shumë i vogël për të paguar edhe autorët e veprave".

Në Festivalin e regjisorëve të rinj që do jetë gati për publikun në tetor, marrin pjesë 9 projekte. Janë regjisorët e rinj Andja Xhunga "Kazanova Baby" i Jan Claude Danaud, Inida Gjata me "Mbreti po vdes" i Eugen Ioneskos, Enton Kaca me "Udhëtimete Lizës" sipas Migjenit, Kadaresë, Kutelit, Romir Jakupi "Shah" të Avni Halilit, Kled Kapexhiu me "Krevati" i Jan de Hartog, Sajmir Sina me "Kontratat" e Slavomir Mrozhek, Olsa Maze me pjesën e shkruar nga ajo vetë, "Një jetë si kjo", Rovena Lule me "Perversitet seksual në Çikago" i David Mamet dhe Ledio Topalli me "Pjatalarësi" i Morris Panych.

Në to interpretojnë 1-6 aktorë dhe në varësi të tyre u ndanë financimet, 300-600 mijë lekë. Aktorët janë kryesisht të rinj. Ishte një kriter të cilit iu mëshua më shumë. Madje mësohet që dy vepra, edhe pse cilësore "u dogjën" për shkak të aktorëve që i përkisnin atyre me përvojë tashmë. Ndriçim Xhepa thotë se në disa raste u bënë vërejtje për ndryshim aktorësh, apo skenografësh, në mënyrë që të jenë të rinjtë ata që përfitojnë më shumë.

Liza në botën e çuditshme shqiptare

E përzgjedh lëndën nga letërsia shqipe. Gruan shtatzënë nën qershija, malësoren dhe Cubin, Xheladin beun dhe Sheqeren i vendos në rrënojat pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Në një terren të shëmtuar, përbri të cilit bëhet art, Enton Kaca, nuk gjen një vepër të gatshme, por e gatuan nga e para. Zgjedh katër vepra nga tre autorë shqiptarë Migjeni, Mitrush Kuteli dhe Ismail Kadare, për të ndërtuar "Udhëtimet Lizës". Një udhëtim si ai i Lizës së famshme në Botë e çudirave, por ku nuk ka Mbretereshë letrash apo mace fantazma që zgërdhihen, por ka paragjykim, nënshtrim, përdhunues, prindër pronarë. "Performanca merr pikënisje nga situata sociale konkrete në vendin tonë. Mjafton të kontrollosh mediat dhe aty do të gjesh plot histori, të cilat për kohën që po jetojmë janë krejtësisht absurde. Kjo shfaqje merr përsipër të nxjerrë nga nëntoka disa histori tragjike, t'i tratojë ato pa frikë", - shprehet Enton Kaca në platformën e vet regjisoriale. Pretendon një vepër ndryshe ku "veprimi gërshetohet me këngën, gjestin, tekstin, ikonografinë, lëvizjen, objektet, kostumet, hapësirën". Hapësira publike gërshetohet me imazhet e fotografive të Marubëve dhe polifoninë e jugut.

"Perversitet seksual në Çikago"

Ajo ka zgjedhur një tekst të vështirë. Gjuha është shpesh e vrazhdë, madje e pistë herë-herë. Në një nga skenat Bernardi, një 30-vjeçar, që mendon se femrat janë krijuar për të kënaqur nevojat e tij seksuale. Rovena Lule është një prej regjisorëve fitues me veprën e Danid Mamet "Perversitet seksual në Çikago". Humbja e dialogut mes njerëzve, shndërrimi në makina seksi ku marrëdhënia në çift nuk është më një shkëmbin dashurie, por vetëm epsh, janë shqetësimet e veprës. "Dua të ngre disa pyetje, të rëndësishme që shpresoj shumë të diskutohen edhe nga publiku, pas prezantimit të shfaqjes: A kemi frikë të dashurojmë? Çfarë do me thënë të dashurosh sot? Si perceptohet ky problem nga të rinjtë e sotshëm?", - pyet Rovena në platformën regjisoriale. Ajo ka menduar që vepra të zhvillohet jashtë ambienteve tradicionale të teatrit, në një ish-fabrikë të vjetër, ku vendveprimi do të ndërtohet në formë udhëkryqi dhe në katër anë qëndron publiku, i kufizuar në numër.

 Other Articles
Prezantohet parku arkeologjik Antigona Prezantohet parku arkeologjik Antigona
Antigona njė destinacion i ri turistik, ka qene ky slogani i prezantuar nga...
Prindėrit mė janė lutur tė mos e botoj shqip autobiografinė Prindėrit mė janė lutur tė mos e botoj shqip autobiografinė
Ornela Vorpsi e ftuar nė Festivalin Ndėrkombėtar tė Letėrsisė nė Berlin, bėn...
Shqipėri 1957, kur sovjetiket sundonin vendasit Shqipėri 1957, kur sovjetiket sundonin vendasit
Njė lyrje kėpucėsh me shkėlqim kushton 1 dollarė nė Tiranė, por kjo ėshtė gjėja...
Lilo Xhimitiku, njė fotograf pėr Beratin e viteve '30 Lilo Xhimitiku, njė fotograf pėr Beratin e viteve '30
Loic Chauvin e Christian Raby, dy studiuesit francezė tė fotografisė, po...
 Photo Gallery

Powered by: PHPCow.com