Berat –
Loic Chauvin e Christian Raby, dy studiuesit francezë të fotografisë, po
tregojnë se jo vetëm e kanë marrë seriozisht kërkimin në artin e fotografisë
shqiptare që nga fillesat, po edhe se dinë t'i kurojnë deri në fund vlerat e
këtij arti. Pas prezantimit dinjitoz të ekspozitës së rrallë në Tiranë,
koleksioni i fotove të autorëve shqiptarë tani ka zënë vend në Berat. Sepse
edhe Berati e ka pasur një artist që nuk e kemi njohur. Chauvin dhe Raby kanë
prezantuar në galerinë "Edward Lear" të qytetit mes mjeshtërve
shqiptarë edhe fotografin Lilo Xhimitiku. 68 fotot e zgjedhura në koleksionet
arkivorë shtetërorë dhe privatë në Shqipëri, që japin një historik të plotë të
aspekteve të jetës shqiptare ndërmjet viteve 1858 – 1940, janë realizuar nga
Marubët, Idromeno, Raci, Sotiri, Mio, Burda, Pici, Jakova dhe mjeshtri beratas
Xhimitiku. Ishte bërë e mundur që në ekspozitë, falë ndihmës së familjes
Xhimitiku, të paraqiten edhe aparatet dhe laboratori i këtij mjeshtri që e bëri
më reale dhe më të ndjeshme atmosferën e kohës kur janë krijuar këto foto.
Qyteti i Beratit është
një nga qytetet më të lakmuar nga artistët e arteteve pamorë, piktorë apo
fotografë. Kjo duket qartë si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen.
Arkitektura e Beratit ka depërtuar në shumë vepra arti, duke përfshirë edhe ato
religjoze si tek ikonat "Të shtatë" të Joan Çetirit dhe të piktorit
Kristo. Por edhe në veprën e figurave evropianë të shekullit XIX si Lear, Durham etj. Në momentet e sotme kur këto vlera janë në prag të
përfshirjes si pasuri e njerëzimit, ky projekt është një argument i rëndësishëm
për të mbështetur dhe për të konfirmuar ekzistencën në qytetin e Beratit e një
kulture dhe historie të fotografisë, si kontribut i vërtetë për t'u mbrojtur nga
UNESCO.
Profesori i
Universitetit të Çikagos në Paris, Christian Raby, tregon se qëllimi i kësaj
pune "është që t'i prezantojë Europës një tjetër imazh të Shqipërise, i
ndryshëm nga klishetë e mediave perëndimore. Shqipëria posedon një pasuri
fotografie, një pasuri e madhe, unike në Ballkan. Megjithatë, ajo nuk ekziston
në historinë botërore të fotografisë aq më pak qyteti i Beratit. Asnjë
referencë, asnjë emër nuk tregon se sa fotografë të talentuar ka patur ky vend.
Sigurisht as dhe mjeshtri fotograf i qytetit të Beratit, Lilo Xhimitiku. Për të
riparuar këtë padrejtësi, ne propozojmë të hedhim dritë mbi pasurinë dhe
origjinalitetin e shumë fotografëve shqiptare të cilët, nga vitet 1850 deri në
vitet 1940 kanë treguar me imazhet e tyre jetën e popullit shqiptar."
Fotografi beratas Ilia
Xhimitiku u lind në Lagjen Goricë me 20 korrik 1907 në një familje tregtarësh.
Do të ishte vëllai i madh Miltoja që do ta shtynte në profesionin e fotografit.
Në vitin 1925 i dhuron një aparat 6 x 9 të tipit "Kodak", që e kishte
sjellë nga Italia. Duke ndier nevojën për perfeksionim lidhet dhe punon për pak
kohë me Palok Gurashin. Më vonë ai krijoi lidhje të afërta me Marubët
(1929–'30, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Shkodër) dhe me fotografë të
tjerë.
Në vitin 1936 bëri
udhëtimin e parë njohës drejt Italisë. Vizitoi Barin, Siçilinë, Napolin, Romën,
Firencen, Milanon e Gjenovën. Synimi i tij ishte të plotësonte formimin si
fotograf me pretendimin e qartë për të pasur një studio profesionale. Këtu ai u
pajis me materiale dhe aparate nga më moderne të kohës, stampatricën,
solucione, letër, vulën e thatë (e njohur e që mbahet e vetmja në llojin e
saj). Si njeri me njohje të gjera shoqërore dhe me vizion të qartë nga bota e
qyteteruar, ishte i pasionuar sidomos pas portretit dhe natyrës. Më vonë iu
kushtua edhe kompozimit, dhe u angazhua në fiksimin e fakteve, ngjarjeve apo
ditëve të shënuara. Në fotografitë e pakta të trashëguara ndihet qëndrimi
krijues i një artisti. Në to ndeshen figura bashkëqytetarësh apo miq dhe familjare
të tij, pamje tepër interesante të qytetit, ceremoni të ndryshme fetare apo
familjare, njerëz me veshje tradicionale, momente argëtimi në rrethinat,
tregjet e shumtë të qytetit dhe jetën e bujqve në fshatrat. Veçanërisht
interesantë janë portretet e tij me një dritë të zgjedhur e dramatike përpara
një sfondi të errët. Ato janë plot dinjitet e qetësi të brendshme. Fondi i
arkivave të Xhimitikut ishte i jashtëzakonshëm. Ai fiksoi ngjarje të
rëndësishme të historisë së Shqipërisë në kapërcimin e gjysmës së dytë të
shekullit të kaluar. Ndryshimet e rëndesishme të qytetit, restaurimi i Urës së
Goricës, ngritja e bustit të Babë Dudës, hyrja e forcave partizane në Berat,
formimi i Qeverisë Demokratike apo dhe ndarja e tapive, vizitën e Hrushovit
etj, u fiksuan nga objektivi i tij. Kanë qënë me qindra filma e fotografi
orgjinale. Por fondi i fotografive të trashëguara prej tij është shumë i
kufizuar për arsyen se arkiva në 13 shtator 1944 u dogj së bashku me shtëpinë
në Lagjen Goricë, në shkurt 1954 studioja shkatërrohet nga një stuhi dhe në
vitin 1962 vërshimet e lumit përmbytin arkivin dhe studion duke u shkatërruar
përfundimisht pjesa më cilësore e punës dhjetëravjeçare: arkivin e filmit dhe
të fotografive, aparatet dhe makinat e stampimit, pa përmendur letrat dhe
materialet e tjera. Po të llogaritësh edhe sekuestrimet, shtetëzimet dhe zhdukjen
e shumë dëshmive nga frika e përsekucioneve mund të imagjinohet realisht
kontributi i Lilo Xhimitikut dhe përmasat e tij kombëtare.
Fondi i fotografive të
trashëguar nga familja Xhimitiku duke qënë një argument i rëndësishëm
dokumentar dhe historik është vënë me dashamirësi në shërbim të të gjithë të
interesuarve, duke qenë kështu një kontribut edhe sot për institucionet dhe
autorë të ndryshëm.
Prandaj edhe kjo
ekspozitë e organizuar në bashkëpunim me Galerinë e Arteve "Edward
Lear", Albimazh dhe me mbështetjen e Këshillit të Bashkisë Berat, ka për
qëllim të rikthejë në kujtesën e qytetareve emra artistësh të rëndësishëm dhe
të harruar, si pjesë e identitetit kulturor dhe e traditës së hershme e Beratit.