Është e qartë se njerëzit janë shumë
pak të informuar lidhur me këtë lloj teknologjie që
ka bërë revolucion në jetët tona.
Nëpërmjet satelitëve sot mund të parashikohet moti,
mund të flasim në celular, futemi në internet,
shikojmë zonat me minerale, shikojmë ku ka ujë nën
tokë e shumë e shumë të tjera. Të gjitha
këto janë realizuar pas lëshimit në orbitë
të 4000 satelitëve artificialë, secili prej tyre me
një mision të caktuar.
Satelitët artificialë janë objekte të
ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura
në orbitë nga largësia 2,000 deri në 35,000 km nga
sipërfaqja e Tokës. Në orbitë ata rrotullohen rreth
tokës.
Sateliti i parë i dërguar në orbitë ishte
Sputnik 1 në 4 Tetor 1957. Pas tij u dërguan dhe shumë
satelitë të tjerë. Sot në orbitë ndodhen rreth
4000 satelitë të dërguar nga njeriu. Pasi e
mbarojnë misionin e tyre ata fillojnë të
zvogëlojnë lartësinë duke u futur në
atmosferën e tokës dhe duke u shpërbërë, por
ka dhe raste kur ata arrijnë deri në sipërfaqen e
tokës, këto hyrje në atmosferën e tokës shpesh
herë janë të kontrolluara nga njeriu, i cili komandon
momentin në të cilin sateliti do të
“bjerë”. Më pak se 10 % e satelitëve që
rrotullohen në orbitën e tokës janë
funksionalë, të tjerët janë mbeturina që enden
në orbitë. Masat e këtyre satelitëve variojnë
nga disa ton deri ne disa kg.
Tipet e satelitëve
Satelitët artificialë janë klasifikuar në disa
kategori sipas misionit të tyre. Kështu ka 6 tipe
satelitësh të cilët përdoren për 1. studime
shkencore, 2 Parashikimin e motit, 3. telekomunikacioni, 4. internetin,
5 navigimin si dhe 6. për qëllime ushtarake.
Satelitët e shkencës mbledhin të
dhëna për analiza të ndryshe. Disa mbledhin të
dhëna rreth përbërjes dhe efektit të
hapësirës afër tokës. Disa të tjerë
regjistrojnë të dhëna rreth ndryshimeve atmosferike
në tokë. Të tjerë vëzhgojnë
planetët, hënën dhe diellin.
Sateliti i motit, vëzhgon kushtet atmosferike
në një zonë të gjerë dhe ndihmon
shkencëtarët të studiojnë dhe parashikojnë
motin.
Këto satelitë ndihmojnë shumë edhe
drejtuesit e avionëve, anijeve etj për të parë
ndryshimet atmosferike në pika të ndryshme të
tokës.
Satelitët e telekomunikacionit, japin sinjale
për radion, televizionin, internetin, etj në pika të
ndryshme të hapësirës drejt tokës.
Një
satelit komunikacioni mund të japë dhe të marrë
sinjale televizive dhe mijra thirrje telefonike në të
njëjtën kohë. Këta satelitë janë të
vendosur në një lartësi të madhe afër
ndonjë stacioni hapësinor. Televizionet dhe kompanitë e
telefonit i përdorin këto satelitë gjithmonë
kundrejt një pagese.
Satelitët e navigimit ndihmojnë
pilotët dhe drejtuesit e automjeteve dhe anijeve të
gjejnë pozicionin e tyre në tokë me shumë
saktësi. Ato përdoren edhe nga turistët kur shkojnë
ekskursione në vende të panjohura apo male. Këta
satelitë dërgojnë sinjale në të gjitha
aparatet që mbahen në avionë, anije apo orën e
dorës.
Satelitët që vëzhgojnë tokën
përdoren për të monitoruar planetin tonë dhe
ndryshimet e tij në kohë. Këto satelitë marrin
pamje në momente të ndryshme me ndriçim të
ndryshëm.
Kompjuterët e vendosur në tokë,
analizojnë këto foto për të parë ndryshimet si
dhe për të lokalizuar depozitat me minerale, burimet ujore
nën tokë, për të vëzhguar sëmundjet
që mund të bien në pyje ose xhungla etj.
Një satelit tjetër i quajtur Aqua studion oqeanet dhe levizjet që bëjnë ata në drejtim të tokës.
Satelitët ushtarakë përfshijnë
motin, komunikacionin, navigimin dhe përdoren për
qëllime ushtarake. Disa satelitë ushtarakë të
ashtuquajtur “satelitë spiunë” janë të
aftë të dallojnë raketat, trajektoren e anijeve nën
ujë e mbi ujë dhe lëvizjet e paijseve ushtarake në
çdo cep të tokës.
Çdo satelit ka veçoritë e tij në bazë
të misionit që është lëshuar. Për
shembull një satelit që studion universin ka një
teleskop. Sateliti që parashikon kohën ka kamera që
fotografojnë lëvizjen e reve.
Satelitët hidhen në hapësirë me ndihmën e
raketave të cilat pasi i lëshojnë ata në
orbitë bien në oqean.
Pasi hidhet në
hapësirë, sateliti mund të qëndrojë aty
për një kohë të gjatë pa patur nevojën
për ndërhyrje dhe rregullime.
Shumica e satelitëve janë të kontrolluar direkt nga
një qendër në Tokë. Qendra komunikon me satelitin
nëpërmjet radiove.
Satelitët kanë panele diellore të cilat drejtohen
gjithmonë andej nga është dielli nga të cilat
marrin energji ndërkohë që mbajnë edhe antenat gati
për të marrë sinjale nga toka.
Në shumicën e rasteve satelitët mund të
riparohen dhe të riprogramohen nga toka. Nëse sateliti
prishet apo jep sinjale të gabuara, nga toka ai mund të
marrë komanda për tu fikur.
Satelitët kanë drejtime të ndryshme në
rrotullimin rreth tokës duke formuar kënde të ndryshme
me ekuatorin deri në këndin 90 gradë duke kaluar mbi
polet e tokës.
Forma e orbitës së tyre mund të jetë rrethore,
eliptike në varësi të misionit ose e ndryshueshme.
Shpejtësia e rrotullimit të tyre është e
ndryshme, por ka dhe satelitë të cilët kanë
shpejtësi të barabartë me shpejtësinë e
rrotullimit të Tokës rreth vetes. Ata duke u rrotulluar
në drejtimin e rrotullimit të Tokës rreth vetes
qëndrojnë mbi të njëjtin pozicion në lidhje me
sipërfaqen e Tokës. Mijëra sinjale dërgojnë
këta satelitë në tokë, duke lehtësuar
jetesën e çdo njërit prej nesh.