Barcelona synon të imitojë atë që bëri Milani
sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve, ku arriti ta
marrë trofeun, pavarësisht se tri skuadrat e tjera
gjysmëfinaliste ishin nga Anglia. Edhe këtë herë,
Liverpuli dhe Çelsi do të përballen në "derbi",
ndërsa skuadra e vetme jo angleze do të luajë ndaj
kampionëve të Mançesterit. Nëse sezoni i kaluar
do të shërbejë si pikë referimi, atëherë
mund të parashikosh skuadrën katalanase në finalen e
Moskës më 21 maj, por në realitet bastexhinjtë e
mendojnë ndryshe: Mançesteri është favorit. Kjo
ndodh sepse skuadrat angleze po dominojnë futbollin europian dhe,
të paktën njëra prej tyre ka qenë në finale
në katër vitet e fundit, si dhe e ka të sigurt edhe
sivjet. Nga ana tjetër, ata nuk kanë pasur fat në
ndeshjen e fundit dhe kanë fituar vetëm dy trofe që nga
viti 1984. Që atëherë, Championsi ka shkuar shtatë
herë në Itali dhe pesë herë në Spanjë.
Barcelona ka mundur anglezët e Arsenalit në vitin 2006, kur u
shpall kampione e Europës. Ashtu si Milani, një vit më
parë, Barcelona është në vendin e tretë
të kampionatit dhe pjesa më e madhe e futbollistëve
kryesorë vjen nga një vit i mbushtur me dëmtime. Tani,
Lionel Mesi, Samuel Eto dhe Deko janë sërish të
gatshëm dhe Barcelona duket se i ka talentet e duhura për ta
mundur Mançesterin në "Kamp Nou". Ndeshja e kthimit do
të luhet pas një jave.
Katalanasit vijnë nga
barazimi 0-0 me Espanjolin në derbi, megjithatë mesfushori
Andres Injesta nxjerr në pah aspektet pozitive. "Liga e Kampioneve
është një histori tjetër, - tha Injesta. -
Shemubulli është që pas humbjes së tmerrshme 3-2
ndaj Betisit shkuam dhe fituam në Gjermani ndaj Shalkes.
Eshtë shumë e rëndësishme për ne që
të arrijmë në finale, dhe kemi 180 minuta për ta
bërë diçka të tillë." Barcelona ka qenë
favorite për Championsin që nga fillimi i sezonit, por
dobësia e treguar në Primera Divizon është se
janë 11 pikë larg Realit, ka hedhur dyshime dhe ka
vënë nën presion të besuarit e Rajkardit.
Barça e nisi sezonin duke pritur gjëra të mëdha
nga "katërshja fantastike" Henri-Eto-Mesi-Ronaldinjo, por deri
tani shkëlqimi i tyre nuk u pa, qoftë dhe për një
natë të vetme. Mesi dhe Eto kanë kaluar dëmtime
të rënda, ndërsa Henri nuk ka arritur të
ambientohet. Ndërkohë, Ronaldinjo nuk do të luajë
më në këtë sezon me fanellën e Barcelonës
dhe ndoshta nuk do të luajë më në "Kamp Nou",
gjatë gjithë karrierës së tij. Braziliani
është një hap larg kalimit të Milanit.
Në
këto kushte, ka spikatur talenti 17-vjeçar Bojan
Kërkiç. Por, pavarësisht nga
vështirësitë, askush nuk e mohon se Barcelona mund
të fitojë ndaj Mançesterit. Problemi kryesor i tyre
është mungesa e besimit në vetvete, por në
Champions gjithçka është ndryshe. Trajneri Frenk
Rajkard dhe presidenti Joan Laporta nuk shihen me sy të mirë
nga tifozët, të cilët po detyrohet të pranojnë
se titulli i dytë radhazi po shkon në duart e Real Madridit.
Skuadra duhet të përgjigjet në fushën e lojës
me dy paraqitje mbresëlënëse ndaj Mançesterit, i
cili kryeson kampionatin anglez. "Djajtë" janë pranë
titullit në Premier Ligë dhe do ta fitonin matematikisht,
nëse e mundin Çelsin të dielën në "Stemford
Bridxh". Por sezoni i kaluar tregoi se skuadra e Fergusonit e ka
të vështirë të arrijë një sukses të
dyfishtë. Në gjysmëfinalet e vjetshme fituan me
përmbysje, 3-2 ndaj Milanit në "Old Traford", por u
shkatërruan 3-0 në ndeshjen e kthimit në "San Siro".
Këtë herë Barcelona do të jetë skuadra
pritëse në ndeshjen e parë. Rajkardi ka nevojë
për më të mirën nga Mesi, Eto, Henri, Deko dhe
Kërkiç në ndeshjet ne "Kamp Nou"-t, në
mënyrë që të mbrohet në "Old Traford".
Nëse diçka e tillë nuk ndodh, për herë
të parë në historinë e Ligës së
Kampioneve do të luhet një finale ndërmjet dy ekipeve
angleze, ndërsa Rajkardit do t'i duhet të kërkojë
një tjetër vend pune.
Burimi: Gazeta Shekulli