Presidenti Valter Fushaj thekson se të gjithë
dashamirësit duhet të kontribuojnë për ekipin
shkodran
Mbrëmjen e së shtunës, në ambientet e hotel
"Colosseu" t, u zhvillua asambleja e radhës e klubit të
futbollit "Vllaznia". Ai që ka folur më shumë nga
të gjithë në këtë asamble ka qenë
sigurisht presidenti i klubit Valter Fushaj. Kjo ishte normale, pasi ka
pasur për çfarë të flasë, duke nisur nga
strategjia që është duke hartuar klubi në lidhje me
të ardhmen e tij, duke e bazuar punën edhe tek investimet
në ekipet e moshave, për të vazhduar me
perspektivën e klubit për të kaluar drejt privatizimit
dhe më pas edhe për gjëra të tjera. Lajmi më i
mirë sigurisht që ishte rikonfirmimi i presidencës
aktuale dhe i kryesisë së klubit, ku bëjnë
pjesë emra të nderuar, si V.Fushaj, R.Rasha, P.Fushaj,
A.Haxhi, H.Zmijani, A.Çela, Xh.Amuli, A.Bushati dhe A.Haxhi.
Një rikonfirmim i tillë sigurisht që ishte një lajm
i mirë, por mbi të gjitha edhe një përgjegjësi
më e madhe për ta. Vetë presidenti Fushaj theksoi se
të gjithë duhet të japin një kontribut, në
mënyrë që Vllaznia të ngjitet aty ku duhet.
Kuptohet që pikësynimi ka qenë vënia para
përgjegjësisë edhe e pushtetit lokal, i cili
është duke qëndruar shumë larg sportit në
përgjithësi dhe futbollit në veçanti. "Kemi
bërë disa kërkesa në bashki për trefishimin e
fondeve për futbollin, por nëse kjo nuk miratohet, të
paktën të na sigurohet ndonjë fushë për
stërvitje, të rregullohen ambientet përreth stadiumit
dhe gjëra të tjera.
Të gjithë duhet ta
kenë të qartë se, nëse bëhet një
investim, ky nuk është për mua si Valter. Eshtë
një investim që i mbetet Vllaznisë, Shkodrës, dhe
prandaj nuk duhet të kursejmë ndihmën që mund
të japë secili për futbollin shkodran," ka
thënë ai. Një pikë tjetër që
është diskutuar jo pak ka qenë dhe kalimi në
shoqëri aksionere. Të gjithë kanë qenë dakord
me një pikë të tillë dhe si rrjedhojë
është miratuar unanimisht një propozim i tillë dhe
tashmë do të nisin procedurat për të provuar
kalimin në një stad të tillë. Megjithatë,
të gjithë e kanë pasur mendjen te gjendja aktuale, sepse
deri në kalimin drejt aksioneres do të duhet edhe shumë
kohë. Pjesëtarët e asamblesë janë shfaqur jo
pak të irrituar me indiferencën e bashkisë ndaj
futbollit, teksa kanë përmenduar bashki të ndryshme
në vend, të cilat jo vetëm japin më shumë para
për futbollin, por janë në krahun e djathtë të
presidentëve të klubeve. "Pushteti lokal duhet të
jetë më aktiv, sepse futbolli është një
pjesë e rëndësishme e jetës së këtij
qyteti. Nëse kalojmë pastaj në shoqëri aksionere,
atëherë është punë tjetër, sepse
shkojmë drejt privatizimit, por edhe atëherë bashkia do
të jetë e interesuar, sepse do jetë pjesë e asaj
shoqërie me asetet dhe përqindjen e saj. Pra të
gjithë duhet të punojmë të kalojmë nga ky stad
në një stad më të lartë, sepse vetëm
kështu edhe futbolli do të shkojë më përpara,"
ka thënë presidenti Fushaj në fjalën e tij.