Mesfushori i të kuqve, Paulin Dhëmbi, shpreson se trajneri Han nuk do t'i harrojë "zboristët" e Antalias
Paulin Dhëmbi është një nga shtyllat e
skuadrës së Partizanit, pasi përvoja e tij
është më e madhe se e një pjese të mirë
të të kuqve. Në gjirin e Partizanit ka një
mbipopullim të lojtarëve me moshë të re,
kështu që 28-vjeçarit Dhëmbi i bie, që,
përveç kontributit të tij, të orientojë edhe
më të rinjtë. Këtë gjë korçari e
bëri edhe në takimin miqësor të së
shtunës me Erzenin. Për 90 minuta Dhëmbi ishte i
detyruar që të luante në mbrojtje, pasi reparti difensiv
është goditur nga një valë dëmtimesh (kapiteni
Beqiri si dhe Osmani me Tafajn). Paulin Dhëmbi dhe pesë
lojtarë të tjerë të Partizanit ishin të
pranishëm në "zborin" dhjetëditor të
kombëtares dhe shpresojnë se emrat e tyre do të
jenë edhe në grumbullimet e tjera të kuqezinjëve.
"Përfshirja ime si dhe e disa shokëve të skuadrës,
në grumbullimin e kandidatëve të kombëtares, ishte
një gjë pozitive, megjithëse ishte një kohë e
shkurtër. Shpresoj se ky grumbullim do të na
shërbejë, por, megjithatë ngelet për të
parë, nëse trajneri i ri i kombëtares do të
jetë i gatshëm që të na ndjekë në
javët në vazhdim. Ndërsa, përsa i përket
të ardhmes, se a do të jemë apo jo në grumbullimet
e tjera, nuk mund të flas për këtë gjë, pasi
kjo u përket drejtuesve të ekipit kombëtar," ka
deklaruar për "Sportin shqiptar" mesfushori i Partizanit, Paulin
Dhëmbi. Në kohën që Partizani do të kryente
pjesën më me ngarkesë të minifazës
përgatitore të janarit, trajneri nuk kishte nën urdhrat
e tij, Dhëmbin, Shkëmbin, Abilaliajn, Bakajn, Muzakën
dhe Osmanin që ishin thirrur nga stafi i kombëtares.
Mesfushori
korçar e konsideron si një eksperiencë pozitive
pjesëmarrjen në "zborin" kuqezi, por është i
vetëdijshëm se copëtimi i organikës së
Partizanit nuk i ka shërbyer skuadrës. Megjithatë,
mesfushori i kuq e shikon Partizanin në rrugën e duhur
për të fituar trofe, pasi diferencën me Dinamon e shikon
mëse të rikuperueshme. "Fazë përgatitore kemi
bërë si ne që ishim të përfshirë në
"zborin" kuqezi, por edhe pjesa tjetër e skuadrës. E mira do
të ishte që kjo fazë e ndërmjetme përgatitore
ta gjente të bashkuar Partizanin, pasi është ndryshe kur
përgatitet i gjithë grupi, sesa të ndarë në dy
pjesë. Kjo ndarje nuk është shenjë pozitive
për ekipin, pavarësisht se, për ne që ishim të
grumbulluar nga trajneri i ri i kombëtares, ishte e vlefshme
për të lënë përshtypjet e para te stafi
kuqezi. Rruga për të përfunduar kampionati
është e gjatë, pasi ka plot ndeshje në dispozicion
të të gjitha skuadrave. Kështu që diferencën
me Dinamon, që është gjashtë pikë, e shikoj
të rikuperueshme. Pra besoj se jemi në ritmin e duhur
për të vazhduar luftën për fitimin e titullit," ka
përfunduar mesfushori i Partizanit, Paulin Dhëmbi.