Sekretari i përgjithshëm, Arben Bici, deklaroi se nuk e di se
çfarë do të kërkojë grupi i kontrollit
Përplasja MTKRS-FSHF duket se sot do të shënojë
momentin më kulmor për atë që është folur
shumë gjatë kësaj kohe. Nisur edhe nga deklarata e
drejtorit të përgjithshëm të auditit, Pajtim Shehu,
sot është lënë që grupet e kontrollit të
Ministrisë së Financave të zbarkojnë në dyert
e FSHF-së për të kryer auditimin e parashikuar. Në
institucionin e futbollit shqiptar pritet të hapen letrat, por
ende nuk dihet se çfarë do t'u kërkojnë
zyrtarëve të FSHF-së grupet e kontrollit. Sipas
informacioneve, edhe në shkresën e dërguar FSHF-së,
më 16 shkurt, nuk është thënë diçka
konkrete. Në këtë mes fshihet edhe rezistenca e mundshme
e federatës, për t'i hapur rrugë ose jo auditimit. I
kontaktuar dje nga "Sporti shqiptar", sekretari i
përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici, tha se drejtuesit e
institucionit të futbollit janë të gatshëm të
ulen për bisedime dhe, sipas tij, gjithçka do të
vendoset nga kërkesa që do të bëjë pala
shtetërore lidhur me auditimin.
"Nuk mund të them asgjë për mënyrën se si
do të veprojë FSHF-ja, sepse ende nuk dimë se
çfarë do të na kërkohet. Ajo që unë
mund të them është se, ne si institucion do të
presim grupin e kontrollit dhe do të ulemi për të
biseduar. Pas kërkesës së tyre, atëherë do
të nxjerrim një konkluzion të saktë," tha
shkurtimisht Arben Bici. Pas urdhrit të Ministrisë së
Financave dhe asaj të Sporteve për auditimin e
veprimtarisë financiare të FSHF-së, kjo e fundit vendosi
në mbledhjen e komitetit ekzekutiv që ta refuzojë
kontrollin, duke e cilësuar atë si të pambështetur
në ligj, nisur edhe nga konsultimi me studion ligjore.
Institucioni i futbollit shqiptar kërkon ndalimin e kontrollit, ku
përfshihen fondet që japin FIFA dhe UEFA. Madje,
këtë gjë dy institucionet qeverisëse të
futbollit ndërkombëtar, ia bënë të ditur
nëpërmjet një letre edhe Ministrit të Sporteve,
Ylli Pango. Ndërkohë, pak ditë më parë
zëvendësministri Ekrem Spahia deklaroi se auditimi do të
prekë fondin grant që jep qeveria për futbollin.
Gjithashtu, ai përmendi edhe shitjen e të drejtës
televizive të kombëtares, duke theksuar se kjo pikë do
të jetë objekt hetimi, duke kontrolluar mënyrën e
përdorimit. Megjithatë, sot ngelet për t'u verifikuar se
çfarë do të kërkojë grupi i kontrollit.
Në FSHF janë shprehur të hapur për auditimin, por
nga ana tjetër zyrtarët e saj ende nuk dinë se
çfarë do t'u kërkohet. Nga kjo e fundit do të
varet edhe rezistenca e institucionit të futbollit, ku natyrisht
ajo që do të ndalohet, është kontrolli i fondeve
të dhëna nga UEFA. Për gjithçka që do
të kërkohet, FSHF-ja do të informojë institucionin
më të madh të futbollit europian, i cili në
letrën e fundit ka paraljmëruar për sanksione.