Policitë kroate dhe sllovene arritën që
përmes aksionit të përbashkët, të
emërtuar ‘Turisti’, të arrestojnë 14
pjesëtarë të zinxhirit ndërkombëtar të
trafikimit të qenieve njerëzore. Grupi boshnjako-kroat kishte
transferuar ilegalisht 160 njerëz nga Shqipëria, Maqedonia,
Serbia, Turqia, Srilanka dhe Kosova, drejt Gjermanisë,
Italisë dhe Austrisë.
Ky duket se është
një rrjet i ngjashëm i trafikut të klandestinëve
shqiptarë, por me trafikantë të huaj, të cilët
mesa duket përcillnin dorë më dorë shtetasit
shqiptarë. Natën mes 22 dhe 23 janarit, njëherazi me
operacionin në Shqipëri, u arrestuan në Kroaci
nëntë persona, prej të cilëve pesë me
shtetësi të kroate dhe katër të Bosnje e
Hercegovinës.
Në krye të grupit të
organizuar ishin një mashkull 43-vjeçar dhe një
femër 28-vjeçare, nga Velika Kladusa, që të dy
shtetas të Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi
udhëheqësi i njësitit për krim të organizuar,
Branimir Liker. Shtetasit e dyshuar kroatë, sipas pohimeve të
policisë, nuk ishin në majë të hierarkisë
së grupit organizuar, por ishin në cilësi të
shoferëve, udhërrëfyesve ose ofronin vendfshehje
për personat e trafikuar. Grupi punonte sipas marrëveshjes
dhe sistemit të arritur paraprakisht, kështu që
pjesëtarët e tij fillimisht i grumbullonin të
interesuarit në Kosovë, i ndanin pastaj në dy grupe prej
dhjetë vetash, pas së cilës gjë përmes
rrugëve malore i shpinin nëpërmjet Bosnje e
Hercegovinës dhe Kroacisë, deri në Slloveni. F.V