Viktima
Sadush Hyskaj e autori i vrasjes Florjon Braka janë zënë
për parkimin përpara dyqanit të këtij të fundit
BALLSH- Një 31- vjeçar
nga Mallakastra ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm
në qytetin e Ballshit pas një sherri banal për parkimin
e automjetit. Viktima, i cili punonte taksist, ka debatuar me kasapin
që kishte dyqanin aty përpara por situata ka dalë
jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në gjakderdhje.
Viktima është Sadush Hyskaj ndërsa autori i vrasjes
është 51- vjeçari Florjon Braka. Ky i fundit
është arrestuar nga policia lokale vetëm pak minuta pas
ngjarjes së rëndë.
Dëshmitarët okularë
nga vendi i ngjarjes pohuan se viktima dhe vrasësi i tij njiheshin
me njëri- tjetrin. Sadush Hyskaj kishte një taksi dhe punonte
në qendër të qytetit të Ballshit, vetëm pak
metra larg komisariatit të policisë. Ndërkohë
Florjan Braka, pavarësisht se jetonte në fshatin Hekal,
kishte hapur në qendër të qytetit të Ballshit
një dyqan ku shiste mish. Rreth orës 10.00 të paradites
së djeshme Hyskaj ka parkuar makinën përpara dyqanit
të mishit por në këtë moment ka dalë
jashtë edhe kasapi, i cili i ka kërkuar që të mos
qëndronte aty. Sipas kasapit, makina i zinte pamjen dhe do të
largonte klientët. Këtu ka lindur edhe grindja midis tyre e
cila është acaruar së tepërmi. Të dy kanë
nisur të shahen me njëri- tjetrin dhe kanë arritur deri
tek kërcënimet. Dëshmitarët që ndodheshin
vetëm pak metra larg sherrit pohuan se kasapi Florjan Braka, babai
i tre fëmijëve, ka rrëmbyer thikën që ndodhej
në tavolinën që priste mishin dhe pa hezituar ka
qëlluar në trupin e Sadush Hyskaj Ai ka rënë
në tokë i mbytur në gjak. Shumë persona që
ndodheshin pranë nuk e pandehnin se gjendja do të arrinte
deri te thika, kanë vrapuar dhe kanë dërguar të
plagosurin në spitalin e Ballshit. Mjekët e këtij
spitali nuk kanë mundur dot të shpëtojnë pasi
goditja ka qenë e fortë në pjesët e barkut duke i
shkaktuar atij vdekjen vetëm pak minuta më pas. Ndërsa
autori i krimit ka tentuar të largohet por ka rënë
në duart e policisë vetëm disa minuta pas ngjarjes. Duke
qenë afër komisariatit të policisë, ai nuk ka
mundur dot të largohet. Ka qenë vetë shefi i
policisë së Ballshit, Lulzim Nelaj ai që ka
bërë kapjen e tij. I arrestuari është transportuar
në komisariatin e policisë dhe më pas është
shpënë sërish në vendin e ngjarjes. Aty Braka ka
rrëfyer të gjitha detajet e ngjarjes. Ai i ka treguar
policisë morinë e thikave që kishte në dyqan si dhe
ka dorëzuar armën e krimit, e cila është
sekuestruar si provë materiale. Vrasja e 31- vjeçarit ka
mbledhur në spitalin e Ballshit dhjetëra njerëz, të
afërm të viktimës, ndërsa policia ka qëndruar
në gatishmëri për të përballuar ndonjë
situatë hakmarrjeje. Tashmë 51 vjeçari do të
përballet me veprën penale të vrasjes me dashje
parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.