Politika

Home Page > Sociale

Monstra e Beratit, gati lirimi i vrasesit 13-vjeēar

Tue, 08 Jan 2008 20:23:00
Photo
Article by:
Webmaster
 
Fëmija 13-vjeçar nga Berati, i cili pak kohë më parë ka vrarë barbarisht një grua 42- vjeçare, shumë shpejt do të rifitojë lirinë. Ai është mbajtur për dy muaj i izoluar në një prej dhomave të spitalit të qytetit por një vendim i ndërmjetëm i dhënë nga gjykata e Apelit Vlorë do t'i rikthejë lirinë. Gjykata ka marrë në konsideratë moshën e fëmijës R.H dhe duke qenë se ai është nën 14 vjeç, atëherë nuk mund të ndiqet penalisht. Në vendimin e saj gjykata ka cilësuar se R.H duhet të mbahet në një institucion riedukimi por në mungesë të këtij institucioni ai do të lihet i lirë. Me sa duket, asnjë nga institucionet shtetërore nuk di t'i japë zgjidhje këtij rebusi të frikshëm që po terrorizon prej dy muajsh të gjithë qytetin e Beratit.

Dy muaj pas ngjarjes që tronditi të gjithë Shqipërinë Gjykata ka marrë një vendim disi evaziv në lidhje me 13- vjeçarin vrasës. Sipas këtij vendimi, për shkak të moshës së tij të mitur, ai nuk mund të jetë subjekt i ligjit si dhe mbi të nuk mund të vendoset dot asnjë masë shtrënguese sigurimi. Gjykata ka vendosur mbajtjen e tij në një institucion riedukimi, por duke qenë se në vendin tonë nuk ekziston asnjë institucion i tillë, 13-vjeçari do të "edukohet" në shtëpi dhe në shkollën publike që ndiqte përpara se të kryente krimet. Avokati i fëmijës, Agron Mahmutaj, pohon se djali nuk ka rezultuar nga asnjë raport mjekësor si i sëmurë psikik dhe për këtë arsye nuk mund të mbahet i izoluar në spital. Ndërkohë avokati përpiqet që të shpjegojë edhe shkaqet që kanë shtyrë fëmijën të arrijë në këtë gjendje. Sipas tij, me djalin është abuzuar seksualisht për vite me radhë nga fëmijë me ngjyrë të lagjes së tij,dhe kjo e ka shndërruar atë në një fëmijë të tillë.

Por lënia e lirë e 13-vjeçarit është kthyer në temën më të nxehtë për momentin në qytetin e Beratit. Pothuajse i gjithë opinioni është kundër lënies së tij të lirë pasi ata e konsiderojnë fëmijën si një rrezik. Tashmë detyra më e vështirë do t'i takojë policisë lokale, e cila do të mbajë nën mbikëqyrje konstante fëmijën. "Djali 13- vjeçar nuk është në burg. Ai ka qenë nën kujdesin e vëzhgimin tonë por është trajtuar në spital. Siç kemi detyrë të mbikëqyrim të sëmurët mendorë me tendenca kriminale, kemi mbikëqyrur edhe këtë. Ai është nën 14 vjeç dhe ne vetëm e kemi mbikëqyrur. Në spital kishte përkujdesje",- shpjeguan dje burimet zyrtare të policisë së Beratit. Sipas tyre, gjykata ka vendosur se ai nuk është subjekt i veprës penale dhe duhet të lihet i lirë. "pas lirimit fëmija 13-vjeç do të mbahet nën kujdes të policisë. Ai nuk është i sëmurë mendor dhe nuk mbahet në spital por do të lihet i lirë do shkojë në familje dhe ne si polici do të hartojmë një plan masash për ta ruajtur së bashku me familjen. Do të ruhet në shkollë, lagje e gjithandej që do të lëvizë në qytetin e Beratit",- thanë krerët e policisë. Sipas tyre, problemi më i madh është vajtja e tij në shkollë pasi të gjithë e dinë se çfarë krimesh ka kryer si dhe çfarë është në gjendje të kryejë ai fëmijë. "Ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me shkollën dhe familjen që ta mbikëqyrim në çdo lëvizje. Shqetësimi më i madh është tek prindërit e shokët e tij të shkollës. Si polici e kemi ngritur disa herë këtë shqetësim pasi nuk ka institucione se ku mund të mbahet një fëmijë i tillë kaq i rrezikshëm",- thanë burimet zyrtare të policisë.


Prindërit:

Do heqim fëmijët nga shkolla nëse ai kthehet

Kur qytetarët e Beratit mësuan për herë të parë se fëmija vrasës mund të lihej sërish i lirë, reaguan menjëherë. Të parët ishin prindërit e fëmijëve që mësojnë në një klasë me të por edhe banorët e lagjes. Ata kanë kërkuar menjëherë një zgjidhje të këtij problemi tepër serioz për fëmijët e tyre. "Në qoftë se 13-vjeçari do të lihet i lirë nga drejtësia, ne do t'i largojnë fëmijët nga shkolla "Shyqyri Lakra". Do t'i dërgojmë fëmijët në një shkollë tjetër pasi qëndrimi i tyre në një ambient me 13-vjeçarin është tepër i rrezikshëm. Ai fëmijë duhet të qëndrojë i izoluar pasi ka kryer disa vepra penale, por ndërkohë edhe në lagje ka sjellë probleme mjaft shqetësuese për shkak të agresivitetit të tij të tepruar",- kanë pohuar prindërit e shokëve të shkollës së 13- vjeçarit. Madje ata kanë kërcënuar se jo vetëm që do të heqin fëmijët e tyre nga shkolla por edhe do të dalin në protesta deri në izolimin e fëmijës së rrezikshëm.

Fëmija vodhi me dhunë paratë e gjyshes së tij

Ekspertët mendojnë se problemet e 13- vjeçarit vrasës kanë nisur që kur ai ishte ende tepër i vogël. Djali është rritur me gjyshërit deri në moshën pesë vjeç dhe më pas ka jetuar me prindërit e tij. "Deri në moshën 5 vjeç e kemi rritur ne pasi nëna e tij nuk e mbante dot. Ne nuk na është dukur e përshtatshme që ta rriste nusja pasi ajo është e sëmurë mendore. Djalin e kemi dërguar tek prindërit kur është regjistruar në klasën e parë. Në fillim ai ka mësuar, ndërsa më pas ka shfaqur shenja agresiviteti dhe vese të tjera të këqija. Madje ai ka vjedhur edhe gjyshen e tij duke i marrë 50 mijë lekë të vjetra",- ka pohuar gjyshi i tij. Sipas tij, djali ishte mësuar me shumë lekë dhe për këtë arsye ai iu sulej dhe u merrte lekët që kishin me vete.

Për këtë ngjarje ai është akuzuar për vjedhje, dhunim dhe tentativë vrasjeje por ka shpëtuar për shkak të moshës

Fëmija ka tentuar të vrasë një 63- vjeçare

Policia e Beratit ka pohuar se 13- vjeçari ishte prej kohësh kontingjent për vjedhje me dhunë por mosha e vogël e kishte mbajtur larg qelisë. "Për vetë moshën e mitur ne nuk kishim se çfarë t'i bënim, pasi sipas ligjeve nuk mundet të merreshin masa shtrënguese për të. Ne nuk kemi një shkollë riedukimi për mbajtjen e fëmijëve të tillë",- pohuan burimet e policisë. Sipas tyre, kohë më parë djali ka sulmuar një 63- vjeçare në afërsi të Urës Vajgurore. Ai e ka rrahur të moshuarën dhe i ka marrë paratë. Gruaja ka qëndruar më shumë se dy javë në spital dhe për pak sa nuk ka vdekur. Për këtë ngjarje ai është akuzuar për vjedhje, dhunim dhe tentativë vrasjeje por mosha e ka shpëtuar sërish. Një rast tjetër dhune i dokumentuar nga ana e policisë së Beratit për 13- vjeçarin me inicialet R. H ka qenë edhe dhuna e ushtruar ndaj dy të miturave me të meta mendore. Vajzat ishin në një lagje me të dhe 13-vjeçari i ka rrahur disa herë ato. Sipas hetuesve, R.H është edhe autori i vjedhjes së parave të disa lypësve të mitur në qytetin e Beratit por në të gjitha rastet ka shpëtuar nga izolimi për shkak të mangësirave të ligjit dhe mungesës së një shkolle riedukimi.

Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar ishte policia e Beratit ajo që ngriti zyrtarisht problemin e izolimit të 13-vjeçarit vrasës. Vetë kreu i policisë së Beratit, Shemsi Premçi, i ka bërë një apel Ministrisë së Brendshme, asaj të Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme duke i kërkuar një zgjidhje për problemin e fëmijës vrasës. Ai ka kërkuar nga këto institucione që të vendosin se ku do të mbahet në izolim 13-vjeçari pasi ligjet shqiptare nuk parashikojnë burgosjen e tij. Aii është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë si dhe organit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar që këto institucione të zgjidhin sa më shpejt problemin e 13-vjeçarit vrasës. "Duke pasur parasysh fatin që R, H është vetëm 13 vjeç dhe gjendjen e tij psikologjike është e pamundur që të vazhdojmë ta mbajmë të izoluar në spital pasi gjithçka është në kundërshtim me ligjin. Në këto kushte kërkojmë nga ana e organeve të drejtësisë në Berat dhe nga ana e organeve të drejtësisë së shtetit pasi është në kompetencën e tyre, të vendosin sa më shpejt të jetë e mundur një vend qëndrimi të përshtatshëm për 13-vjeçarin, ku të mundësohet dhe kurimi i tij",- thuhej në letrën e Premçit. Ndërkohë, nga ana tjetër, drejtori i spitalit Neritan Vito ka shprehur shqetësim e tij në lidhje me qëndrim e 13-vjeçarit në këto ambiente. Vito është shprehur se dhoma ku qëndron i izoluar fëmija është nën varësi të organeve të drejtësisë, por ajo është një dhomë që shërben për të paraburgosurit, për të shoqëruarit në polici dhe jo për fëmijët që nuk kanë ku të vendosen. Precedenti i dy viteve më parë, ku një i ndaluar për vrasje që ndodhej për mjekim në spitalin e Beratit vrau policët e shërbimit me armën e tyre ka bërë që drejtori Vito të shprehet me shqetësim në lidhje me qëndrimin e fëmijës në ambientet e spitalit. Në drejtorinë e spitalit janë ankuar edhe pacientë e mjekë të ndryshëm, të cilët kanë pasur frikë të qëndronin së bashku me fëmijën vrasës.

Rrëfimi i vrasësit

"E mashtrova gruan duke i thënë se jam jetim"

I mituri me inicialet R.H ka treguar në polici si ka arritur të mashtrojë e me pas të vrasë Engjëllushe Sinjarin. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë fëmija, ngjarja ndodhi mesditën e së hënës, në 12 nëntor. Rreth orës 12.30 minuta ai ishte takuar me gruan në fshatin Poshnje, para një lokali. "Gruaja ishte e ulur në gjunjë para lokalit dhe unë iu afrova dhe hyra në muhabet me të",- ka nisur rrëfimin ai. Sipas tij, në fillim, 47-vjeçarja nuk ka dashur të flasë, por ai i ka thënë se është jetim dhe i pangrënë. Pas kësaj, gruas i është dhimbsur dhe i ka premtuar ta marrë me vete në shtëpinë e saj, në fshatin Skrevan. "U nisëm në këmbë për në shtëpinë e saj dhe u ngjitëm në kodrën e Goricës"- ka vazhduar më tej rrëfimin autori. Sapo kanë mbërritur tek gropa e madhe mbi fshatin Pashalli, sipas djalit, nisi një shi i madh dhe ata iu afruan një bunkeri ku gruaja ndezi një zjarr për t'u ngrohur. Sipas dëshmisë, në momentin që ajo u ul të ndizte shkarpat, 13-vjeçari e ka mbytur me rripin e pantallonave. Madje ka treguar se për të qenë i sigurt, e ka tërhequr rripin duke e mbajtur në sup. Kur ka parë se gruaja kishte vdekur i ka bërë kontroll për paratë. Pas kontrollit ka gjetur në rrobat e saj vetëm 13 mijë lekë të vjetra. Më pas i mituri e ka hedhur viktimën në kanalin në hyrje të bunkerit dhe është larguar në shtëpi. Pyetjes së nënës për baltën që kishte në rroba, i është përgjigjur qetë: Po luaja me shokët!

 Other Articles
Prezantohet parku arkeologjik Antigona Prezantohet parku arkeologjik Antigona
Antigona njė destinacion i ri turistik, ka qene ky slogani i prezantuar nga...
Prindėrit mė janė lutur tė mos e botoj shqip autobiografinė Prindėrit mė janė lutur tė mos e botoj shqip autobiografinė
Ornela Vorpsi e ftuar nė Festivalin Ndėrkombėtar tė Letėrsisė nė Berlin, bėn...
Shqipėri 1957, kur sovjetiket sundonin vendasit Shqipėri 1957, kur sovjetiket sundonin vendasit
Njė lyrje kėpucėsh me shkėlqim kushton 1 dollarė nė Tiranė, por kjo ėshtė gjėja...
Teatri i tė rinjve, ja tendencat Teatri i tė rinjve, ja tendencat
Tė jenė bashkėkohorė dhe tė ngrenė probleme. Ja tendencat e teatrit tė tė...
 Photo Gallery

Powered by: PHPCow.com