Zyrtarët shqiptarë iu bashkuan shqetësimit të
maqedonasve dhe bullgarëve, për vështirësitë
energjetike me të cilat pritet të përballet i
gjithë rajoni ynë në pesë vitet e ardhshme. Më
shumë se dy dekada mungesë planifikimi dhe investimesh
në rajon, duket se do të japin pasoja të dukshme
për jetën e qytetarëve dhe për të ardhmen
ekonomike në vitet në vijim.
“Të gjitha vendet e rajonit të Europës
Juglindore do të vuajnë mungesën e energjisë
elektrike në vitet e ardhshme dhe aktualisht, ka nevojë
për investime urgjente e për më shumë
bashkëpunim”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Genc Ruli
në Forumin Ekonomik “Crans Montana” që u zhvillua
këto ditë në Tiranë. Sipas Boyko Nimitz, ekspert i
Kartës Europiane të Energjisë, Ballkani ka shumë
pak energji dhe e përdor atë jashtëzakonisht keq.
“Kroacia konsumon energji dy-tre herë më shumë se
Shqipëria, por gjithashtu edhe dy-tre herë më pak se
Gjermania”. Në Gjermani, prodhohen 6 dollarë mallra,
për çdo kilovat të konsumuar. Në Shqipëri
prodhohet 1.9 dollarë për KWH, ndërsa në
Kosovë, ka vetëm 0.76 dollarë GDP për kWh.
Kambana alarmi
Që prej vitit 2002, kambanat e alarmit të krizë
energjetike në rajonin e Ballkanit kanë qenë të
shpeshta. Të gjitha vendet e kanë ndjerë krizën e
kanë shtrirë dorën për të kërkuar para
për energjinë, në çdo lloj konference
donatorësh. Në vitin 2005, BE miratoi një kuadër
bashkëpunimi që paralajmëroi se rajoni ka nevojë
për një unazë energjetike për t’u integruar
në këtë mënyrë me rrjetin europian të
energjisë. Por nxjerrja e Ballkanit nga kriza kërkon
investime që arrijnë në 15 miliardë euro dhe e
përjavshmja prestigjioze britanike “The Economist”, e
konsideroi planin e BE-së, si një “ëndërr
në diell”.
Dhe në Ballkan ka shumë “ëndrra në diell”...
Të gjitha qeveritë e rajonit i pranojnë
vështirësitë dhe kanë projekte për të
shpëtuar nga kriza, por besueshmëria e këtyre projekteve
është e dyshimtë. Kroacia, Bullgaria, Rumania, deri edhe
Shqipëria, ëndërrojnë të zhvillojnë
kapacitete të energjisë bërthamore. Vetëm në
Rumani ka shanse që projekte të tilla të realizohen.
Në Bullgari mund të realizohen, por kjo gjë do të
kërkojë shumë kohë dhe derisa energjia
bërthamore të mbërrijë, vendi do të ketë
kaluar shumë vite krizë. Në Kroaci, ideja e
energjisë bërthamore kërkon një investim prej 4
mijë euro për banor në tre-katër vitet në
vijim.
(Burimi: Gazeta Shekulli)