Partitë politike duhet të kthehen në instrumente me
anë të të cilave qytetarët të sigurojnë
një jetë më të mirë. Me këtë mesazh
i është drejtuar kryetari i partisë Socialiste Edi Rama
të rinjve të Qytetit Studenti gjatë një takimi
që ka zhvilluar dje në kuadër të "Dialogut me
Shqipërinë", ku natyrisht ka biseduar për gjithë
problematikën që shqetëson sot rininë shqiptare.
Për të arritur ndryshimin e qëllimit për të
cilin ekzistojnë partitë, Rama u ka kërkuar të
rinjve që të jenë pjesë aktive në
politikë jo për t'u bërë politikanë, por
për të ndikuar në vendimmarrje. Duke bashkëbiseduar
me të rinjtë të cilët ngritën si një nga
problemet themelore të tyre punësimin pas diplomimit lideri
opozitar nënvizoi se PS dhe ekipet e punës së saj
janë duke hartuar politika që universitetet e liberalizuara,
të kthyera në fabrika diplomash, të kthehen në
vatra dijeje dhe formimi real të të rinjve në mbarë
vendin.
Duke iu referuar vizitës së para disa
ditëve të kryeministrit në Qytetin Studenti, Rama
është shprehur se është fatkeqësi që
të rinjtë shqiptarë me diplomat e tyre të studimit
nuk arrijnë që sigurojnë ende një vend pune.
"Është për të ardhur keq, që sot në vitin
2008, kryeministri ka kurajën që të vijë këtu
në qytetin studenti dhe të krenohet se ka mbajtur premtimet
për studentët, ndërkohë që e vërteta
është në sytë e të gjithëve, e
vërteta është në radhët kilometrike të
të papunëve që dalin nga këto universitete, të
"liberalizuara", por në fakt të kthyera në fabrika
diplomash, dhe jo në vatra dijesh", - u shpreh Rama gjatë
fjalës së tij. Për të arritur atë ç'ka
shqiptarët ëndërrojnë, ka theksuar Rama, nuk
mjafton vetëm ndërrimi i ca ministrave me ca të
tjerë, por një përqasje të ndryshme e çdo
qytetari ndaj politikës. Një moment tjetër ku
është ndalur kreu i PS-së në diskutimin e tij,
ishin dhe premtimet e pambajtura të kryeministrit Berisha, të
cilat, sipas tij, janë disa herë më të mëdha
në raport me premtimet e mbajtura të kësaj qeverie.
Rama
u shpreh se është koha që kryeministri të nisë
të tregojë se çfarë ka bërë, pasi
arritjet e servirura prej tij janë jorealiste. "Më vjen keq
që në 2008 kemi këtë kryeministër, i cili
kërkon t'i mbulojë premtimet e pambajtura, që kanë
rezultuar gënjeshtra të papërmbajtura, në premtime
të reja, a thua se ka ardhur sot nga qielli dhe jo se ka tre vjet
që qeverisë. Ai sot ka ditën për të
thënë çfarë ka bërë dhe jo
çfarë do të bëj në të ardhmen. Ka
ditën për të thënë çfarë ka
bërë, jo duke gënjyer, por duke pranuar se në rast
se ka bërë pensionin në qytet 100 dollarë, me
këto 100 dollarë pensionistët mund të blejnë
shumë më pak gjëra se sa blinin deri ditën kur u
bë kryeministër ky zotëri", - u shpreh Rama.