Republikanët nuk do të lejojnë që Ligji i
Legalizimeve, i kthyer për rishqyrtim nga Presidenti i
Republikës, të miratohet nga Kuvendi pa asnjë ndryshim.
Në të kundërt, ata do t'i drejtohen Gjykatës
Kushtetuese. Kryetari i grupit parlamentar i PR-së, Arjan Madhi ka
deklaruar dje se do të ndjekin rrugën gjyqësore në
rast se Kuvendi rivoton pa asnjë ndërhyrje, ndryshimet
në "Ligjin për Legalizimin e Zonave Informale". "Ne do
të jemi konsekuentë në qëndrimin tonë dhe
nëse nuk do të reflektohet mbi çështjet që
lidhen me parimet dhe me standardet kushtetuese, sigurisht, rrugët
tona janë të hapura dhe do t'i drejtohemi më tej
Gjykatës Kushtetuese, e cila le të shprehet
përfundimisht për pretendimet tona",- tha dje Madhi. Dihet
tashmë që ligji i ndryshuar i legalizimeve kaloi me votat
kundër të socialistëve dhe republikanëve. Ndaj
përmbajtjes së këtij ligji, Presidenti i Republikës
paraqiti edhe vërejtjet ligjore, duke shpresuar në të
njëjtën kohë që rekomandimet e tij do të
kalonin me konsensus sa më të gjerë.
"Nëse
ka vullnet maxhoranca të hartojë një projekt
ndryshimesh, që të jetë në përputhje të
plotë me ligjin që aktualisht është në fuqi,
ne nuk kemi asnjë kundërshtim dhe rezervë",- tha
deputeti Madhi, ndërsa nënvizoi se ligji në fuqi ka
parashikuar afate dhe procedura. Republikanet e kundërshtojnë
përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, pasi sipas tyre, drafti
në fjalë nuk përcakton drejt rolin e pronarëve
të ligjshëm. PR-ja gjykon se amendimi i këtij ligji nuk
garanton transparencë dhe nuk përcakton qartë afatet e
rimbursimit të pronarëve të ligjshëm. Thuajse
të njëjtin qëndrim në argumentimet e tij ka mbajtur
edhe kreu i shtetit, Bamir Topi. Ky i fundit, në një
interviste për mediat, pak ditë më parë u shpreh se
arsyetimet e tij ishin ligjore dhe teknike të argumentuara
qartë në materialin e depozituar në Kuvend. Dekreti i
presidentit Topi "Për kthimin për rishqyrtim të ligjit
për legalizimet", i ndryshuar përmban një sërë
vërejtjesh që nisin nga skema e dëmshpërblimit
të ish-pronarëve, që në ligjin aktual
është e shoqëruar pa një afat kohor, reduktimi i
kompetencave të pushtetit vendor duke ia dhënë
Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të
Zonave/Ndërtimeve Informale, e deri tek mbivendosja e kompetencave
që lejojnë ndryshimet e ligjit.
(Burimi Gazeta Shekulli)