Kreu i PS-së ka vijuar turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në Divjakë, ku ka takuar të rinjtë
Rrugëtimi i Kryetarit të PSSH, Edi Rama, në "Dialogun
me Shqipërinë" ka vazhduar në Divjakë, ku të
rinjtë dhe aspiratat e tyre për një vend të
jetueshëm kanë qenë tema kryesore e
bashkëbisedimit. Rama i ka bërë thirrje të rinjve
që të heqin dorë nga indiferenca dhe të bëhen
pjesë e përpjekjeve të PS-së për ndryshimin e
realitetit ekzistues. "Kjo është e mundur në rast se ne
braktisim llogoret e indiferencës, braktisim llogoret e
skepticizmit, braktisim llogoret ku na kanë detyruar të
gjithëve të futemi në një politikë që
për 17 vjet flet me vete dhe për vete, dhe jo me ne dhe
për ne", - u shpreh Rama. Sipas tij, duhet të jetë
mision i çdo të riu, që të kontribuojë
në realizimin e një Shqipërie, ku çdo shqiptar
të jetojë me dinjitet.
Kjo për kryesocialistin mund të bëhet realitet
vetëm duke e kuptuar politikën si një mjet për
të zhvilluar vendin dhe jo si një mjet për të
përfituar persona të veçantë. "Kjo realizohet
duke e kuptuar politikën jo si profesion, por si pasion për
të ndryshuar jetën tuaj, për të ndryshuar
jetën e fshatit dhe të qytetit, për të ndryshuar
kushtet në shkollat tuaja, rrugët e së nesërmes
tuaj, atëherë realisht gjërat mund të
ndryshojnë. Është koha që t'i jepni
njëri-tjetrit, t'i jepni shoqes dhe shokut në
shtëpinë përballë, në fshatin apo qytetin ku
jetoni dorën e një solidariteti të ri, sepse të
gjitha ato probleme që ju hasni sot, në shkollë, në
rrugë, në familjet tuaja, nuk mund të zgjidhen pa ju.
Janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa
pjesëmarrjen tuaj",- tha Rama. Gjithashtu kreu i PS-së ka
vlerësuar si një domosdoshmëri nevojën për
krijimin e një bashkimi të ri, përtej kufijve dhe
flamujve të partive politike. Vetëm në këtë
mënyrë, ka theksuar kryesocialisti, do të bëhej i
mundur rrëzimi i politikës së vjetër dhe realizimi
i projektit të politikës së re. "Duam të
ndërtojmë një politikë të re, ku çdo i
ri, pavarësisht se lind në qytet apo fshat, pavarësisht
se rritet në qendër apo periferi, të ketë
mundësi që ta zhvillojë talentin e vet, të
ketë mundësi që me aftësitë e veta të
shkoj në universitetin që dëshiron dhe me dijet e marra
të mund të jetojë me punë të ndershme dhe me
këtë punë të ndershme, të ndërtojë
të gjithë atë perspektivë që
ëndërron për veten, familjen, komunitetin apo atdheun e
vet", - tha Rama.
(Burimi: Gazeta Shekulli)