Si për ironi të fatit, qeveria "Berisha" më 1 Maj,
ditën e punëtorëve vendos të shkurtojë numrin
e punonjësve buxhetor. Bëhet fjalë për shkurtimin e
afro 600 vendeve pune në organikën e dy ministrive, të
Arsimit dhe asaj të Punëve Publike dhe Transporteve. Për
të ruajtur kontrollin e shpenzimeve buxhetore të personelit
dhe për t'i paraprirë hartimit të një buxheti
më të vogël për vitin 2009, Ministria e Financave i
ka propozuar qeverisë shkurtimin e numrit të punonjësve
nga 104716 në 104105 punonjës. Konkretisht në
Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe
Telekomunikacionit organika pakësohet me 135 punonjës. Ky
shkurtim sipas relacionit shoqërues të vendimit të
qeverisë ka ardhur si rrjedhojë e shkrirjes së
Policisë së Ndërtimit, e cila kishte 275 punonjës
dhe e krijimit të Inspektoriatit të Ndërtimit me 140
punonjës. Pas këtyre shkurtimeve numri total i
punonjësve në këtë ministri dhe strukturat
qeveritare që varen prej saj bëhet 1362 punonjës. Por
ndaj këtij vendimi ka reaguar Ministria e Transporteve, e cila me
anë të titullarit të saj, Sokol Olldashi, ka
kërkuar që numri i shkurtimeve të jetë 13 veta
më pak, pra 122. Sipas lëndës shoqëruese të
këtij projektvendimi, Olldashi i kërkon ministrit të
Financave, Ridvan Bode, që të rishikojë vendimin e
marrë, për shkak të pamundësisë së
kësaj ministrie për të përballuar aktivitetin e
punëve operative.
Një reformë më e
thellë në organikë pëson Ministria e Arsimit, e
cila për gjysmën e vitit 2008 parashikohet që të
shkurtojë organikën e saj totale me 487 punonjës. Ky
pakësim vjen si rezultat i reflektimit të vendimit të
Këshillit të Ministrave "Për administrimin e konvikteve
të sistemit arsimor parauniversitar", vendim që parashikon
që punonjësit e administrimit të konvikteve të
kalojnë në varësi të pushtetit lokal.
Ndërkohë që qeveria ka parashikuar dhe një
shtesë prej 11 vende pune në Ministrinë Ekonomisë
dhe Energjitikës. Kjo ka ardhur si nevojë e krijimit të
njësisë së mbikëqyrjes së lojërave
të fatit, si një strukturë e re në varësi
të Ministrisë së Ekonomisë. Meqenëse numri
aktual i Ministrisë së Ekonomisë nuk mund të
përballojë edhe fluksin e punës së kësaj
njësie, Ministria e Financave ka dhënë lejen për
shtimin e numrit total të punonjësve në 508. Për
të gjitha reduktimet dhe shtimet e numrit të punonjësve
Ministria e Financave ka bërë dhe rishikimet respektive
në buxhetin e shtetit. Pavarësisht shkurtimeve, Ministria e
Arsimit vazhdon të ketë numrin më të madh të
punonjësve, plot 43707 punonjës. Pas saj vijnë:
Ministria e Shëndetësisë me 15408 punonjës, ajo e
Brendshme me 13065 punonjës, e Mbrojtjes me 11800 dhe Ministria e
Drejtësisë me 4594 punonjës.
Qeveria merr vendim për rritjen e rrogave të ILDP
10 mijë leke rritje për inspektorët e deklarimit të pasurive
TIRANË- Qeveria "zgjidh qesen" për punonjësit e
institucioneve të pavarura kushtetuese. Me propozim të
Ministrisë së Financave dhe asaj të Brendshme,
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin "Për një
ndryshim në ligjin për pagat dhe shpërblimet e
institucioneve të pavarura kushtetuese". Ndryshimi prek vetëm
Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të
Pasurive, ku disa kategori punonjësish marrin një shtesë
rroge prej 10 mijë lekësh të reja në muaj.
Konkretisht nëpunësit në pozicionet "Inspektor i
lartë" dhe "Ndihmës inspektor i lartë" për shkak
të vështirësisë së punës ndryshojnë
kategorinë e pagës, duke kaluar një shkallë më
lart. Inspektori i Lartë kalon nga kategoria 2b në
kategorinë 2a, ndërsa ndihmësinspektori i lartë
kalon nga kategoria 3a në kategorinë 2b dhe për
rrjedhojë përfitojnë një shtesë page me 10
mijë lekë.
Në muajin dhjetor 2007 qeveria
miratoi vendimin për pagat për nëpunësit
civilë të kabineteve dhe punonjësit mbështetës
të institucioneve të pavarura. Bazuar në legjislacionin
në fuqi, kategoritë e pagave për këta
nëpunës u përcaktuan duke iu referuar ministrive të
linjës, si dhe në përputhje me përshkrimet e
punës së pozicioneve. Por pas miratimit të vendimit
të dhjetorit, ILDKP-ja kërkoi rishikim të vendimit
për dy emërtesat e sipërcituara. Duke e konsideruar si
të një rëndësie të veçantë
punën e këtyre inspektorëve, dy ministritë e
linjës vendosën që të propozojnë ndryshimin e
mësipërm. Ndërkohë që efektet financiare
parashikohet të fillojnë që nga data 1 janar 2008.