Çdo ditë që kalon nga tragjedia e
15 marsit shton edhe më shumë numrin e viktimave. Pas vdekjes
së Kore Deliut, një tjetër punëtore e fabrikës
ka humbur jetën në spitalet e Italisë. Ajo
është Zelfie Ahmeti. Viktimat e fundit të kësaj
drame janë të gjitha femra, të cilat ishin edhe pjesa
më e madhe e punëtorëve në fabrikën e vdekjes.
Ditari i fabrikës së Gërdecit tregon me detaje se si
punonin këto femra dhe si përdoreshin nga pronari i tyre
që nga pastrimi i territorit dhe predhave e deri tek hapja e tyre.
Grupi i pastrimit të gëzhojave në
fabrikën e Gërdecit përbëhej vetëm nga femra.
Ishin dhjetë gra që çdo ditë pastronin dhe lanin
gëzhojat e plumbave që janë demontuar por edhe trafikuar
nga fabrika e Gërdecit. Detyra e tyre konsiderohej si e lehtë
nga pronarët e fabrikës dhe për këtë duhet
të paguheshin me një mijë lekë në ditë.
Po kështu edhe grupi i pastrimit të predhave
përbëhej vetëm me gra. Sipas shënimeve të
mbajtura nga vetë zyrtarët e kompanisë, të cilat
tashmë ndodhen në dispozicion të "Shekullit", ky grup
nuk kishte një numër të përcaktuar. Në
varësi të ditëve të veçanta, në
pastrimin e gëzhojave punonin nga 18 deri në 25 vajza dhe
gra. Pjesa më e madhe e tyre ishin banore të zonës
përreth fabrikës së Gërdecit. Disa prej tyre
janë plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 marsit e
janë dërguar jashtë Shqipërisë për kurim
më të specializuar. Mes tyre ndodhet edhe një nga
të zhdukurat e kësaj tragjedie, Shqipe Alhasa. Të gjitha
këto gra paguheshin vetëm me një mijë lekë
në ditë për rrezikun që merrnin përsipër
por edhe për punën e rëndë që duhet të
bënin. Ato duhet të pastronin mijëra predhat që
hapnin dhe bënin gati grupet e tjera të punës. Për
çudi grupi i pastrimit të territorit përbëhej nga
meshkuj dhe jo gratë.
Këto gra, për të arritur normën
e kërkuar nga pronarët e tyre por edhe disa para më
shumë janë detyruar që të punojnë edhe në
hapjen e predhave ose të barutit. Shënimet e "Llogaritarit"
të fabrikës së Gërdecit janë të mbushura
me emra grash që rrezikonin jetën çdo ditë
për t'u paguar vetëm me pak më shumë se 10
lekë për çdo predhë që hapnin. Ditari
pasqyron punën e tyre të përditshme, e cila
është paksa më e ngadaltë se ajo e meshkujve.
Grupet e punës së demontimit të predhave që ishin
të përbërë nga meshkujt arrinin që të
bënin një volum më të madh pune e për
pasojë paguheshin paksa më shumë. Edhe pse
përpiqeshin, këto gra nuk arrinin që të kapnin
normën e meshkujve në këtë punë
vdekjeprurëse.