Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore nuk përfundon me
fillimin e Samitit të Bukureshtit në muajin prill. Ministri i
Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar dje se përpjekjet për
bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës janë sinjalet
që politika shqiptare duhet t'u japë
ndërkombëtarëve, se ka një qëndrim unik
për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
"Ky pakt duhet të përfshijë jo vetëm
mirëkuptimin për ndërtimin e këtij legjislacioni
të domosdoshëm të reformave, por edhe fazën
implementuese, gjë e cila duhet të jetë obligim i
përbashkët i mazhorancës së sotme, i mazhorancave
të nesërme apo i bashkëpunimit me opozitën. Dhe
unë mendoj se ne kemi ndërtuar një trend shumë
pozitiv marrëdhëniesh",- u shpreh Mediu.
Gjithashtu
ministri i Mbrojtjes ka vlerësuar dhe propozimin e Partisë
Socialiste për paktin për reformën në
drejtësi. Megjithatë, sa i përket rezolutës së
miratuar me mbi 100 vota nga Kuvendi, ministri i Mbrojtjes ka theksuar
se të tilla dokumente duhet të kalohen përmes një
analize konkrete dhe jo në mënyrë formale. "Nëse do
të bëja një vërejtje ose do ta ndjeja veten jo fort
të kënaqur, është momenti kur kaloi rezoluta
në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, është një
rezolutë që kaloi për një minutë, pa
bërë një analizë. Dhe besoj se Kuvendi i
Shqipërisë nuk mund të konsiderohet si një
institucion kolektiv, por si një institucion ku deputetët
kanë individualitetin e tyre pavarësisht se kujt grupimi
politik i përkasin dhe për çështje të tilla
të rëndësishme natyrisht që duhet të shprehen.
Duke qenë kështu Kuvendi fiton vlerë kur miraton
rezoluta të tilla, por fiton akoma më shumë vlera kur
diskuton përmbajtjen që kanë këto rezoluta", - tha
Mediu.